Ministria e Infrastrukturës ka shtyrë me rreth 1 muaj afatin për të marrë pjesë në garën ndërkombëtare për ndërtimin e autostradës së re Milot-Balldre.
Gara e hapur më 19 dhjetor 2024 me afat deri më 17 shkurt 2025 është shtyrë për më datë 10 mars, por pa pasur një njoftim mbi arsyet e këtij vendimi. Pra kompanitë e interesuara për të marrë pjesë në këtë garë mund të paraqesin ofertat e tyre deri më 10 mars.
Tenderi për Milot-Balldre u shpall në Agjencinë e Prokurimit Publik në fund të vitit 2024, pas 6 vitesh zvarritje, dhe vlera e ndërtimit të kësaj autostrade të re është përllogaritur në 364.7 milionë euro pa TVSH, dhe kohëzgjatja 35 vite.
Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjën e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.
Kjo autostradë do të jetë me pagesë për qytetarët njëjtë si Thumanë-Kashar, tarifa do të fillojë nga 0.5 euro për motoçikletat deri në 5 euro për mjetet e mëdha.