GJKKO ka shtyrë për më 23 prill ora 13:00 seancën për vendimin lidhur me kërkesën e SPAK për dosjen Partizani që ka kërkuar që çështja e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani të kalojë për gjykim.
Genc Gjokutaj avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha tha se mbrojtja tregoi mungesën e faktit penal në një çështje që sipas tij është ndërtuar e gjitha mbi firma të falsifikuara. Sipas avokatit, zgjatja e seancës deri në 6 muaj shpjegon më së miri faktin se nuk ka asnjë provë.
“Theksuam mungesën faktit penal për të cilën kemi kërkuar pushimin e çështjes, pjesa tjetër ishin pavlefshmëritë e të gjitha akteve, është një manual shkeljesh; ka ekspertë të palicencuar, firma të falsifikuara që prokurori i dëgjon dhe hesht. Berisha është i pandehur dhe Rama nuk thirret, ndryshimi i destinacionit të kubit Partizani është bërë nga Rama. Zgjatja e seancës paraprake 6 muaj ka ndodhur sepse nuk ka asnjë provë”, tha Gjokutaj.