Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sot atë që e cilëson si një tjetër skandal të madh korruptiv, të lidhur me projektin e ashtuquajtur “Durana” ose “Troplana”, duke e krahasuar atë me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Gjatë një deklarate publike, Berisha tha se, ashtu si në Sharrë ku sipas tij nuk ekziston investimi 130 milionë euro për djegien e mbetjeve, edhe në zonën e Xhafzotajt nuk ka asnjë gjurmë të projektit “Troplana”, për të cilin janë shpenzuar qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve.
Sipas Berishës, fondet publike janë përvetësuar përmes një skeme që përfshinte mbi 50 kompani, të cilat – sipas tij – nuk i paguanin detyrimet te tatimet, por kontribuonin financiarisht në favor të personave të lidhur me kryeministrin Edi Rama dhe rrethin e tij familjar.
Ish-kryeministri akuzoi gjithashtu se para shpalljes së tenderëve qeveritarë ishte krijuar një monopol teknologjik përmes një shoqate të quajtur ACTI (Albanian Council for Technology and Innovation), e drejtuar nga Ermal Beqiri, i njohur sipas Berishës edhe si Armand Frangu.
Berisha deklaroi se qëllimi zyrtar i shoqatës ishte bashkimi i profesionistëve të teknologjisë së informacionit, ndërsa qëllimi real, sipas tij, ishte kontrolli paraprak i projekteve dhe tenderëve qeveritarë, përpara se këto të bëheshin publike.
Ai pretendoi se kompanitë anëtare kishin akses të ndryshëm në informacion në varësi të tarifave të paguara, me kategori si “silver”, “gold” dhe “platinum”. Sipas Berishës, kompanitë që paguanin deri në 5 mijë euro në vit përfitonin statusin “gold”, ndërsa për nivelin “platinum” nevojiteshin marrëveshje të posaçme.
Në deklaratën e tij, Berisha solli si shembull një projekt për një park në Porto Romano, për të cilin tha se ishte përgatitur paraprakisht nga një kompani e lidhur familjarisht me kryeministrin, ndërkohë që tenderi publik u shpall më vonë nga qeveria.
Deri tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Kryeministria apo personat e përmendur në lidhje me këto akuza.







