Ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Marie Bjerre, vend që aktualisht mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, ka dhënë një deklaratë optimiste mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Gjatë konferencës për shtyp në Bruksel, ku ishte e pranishme së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe Komisioneren për Zgjerim Marta Kos, Bjerre u shpreh se Shqipëria po ecën me ritëm mbresëlënës dhe se vendi mund të bëhet shumë shpejt pjesë e BE-së.
“Zgjerimi është përparësi e presidencës daneze. Sot ne po japim një tjetër rezultat. Nëse Shqipëria vazhdon të njëjtin drejtim, me të njëjtin ritëm, anëtarësimi do të arrihet në një të ardhme të afërt.”, deklaroi ministrja daneze.
Ajo theksoi se Shqipëria i përket familjes europiane dhe vlerësoi bashkëpunimin e institucioneve shqiptare dhe punën e bërë gjatë muajve të fundit.
“Shqipëria i përket familjes evropiane. Falënderoj Edi Ramën për bashkëpunimin gjatë këtij 6-mujori. Është mbresëlënëse sa shpejt po jepni rezultate. Vazhdoni kështu dhe do të jeni pjesë e BE-së së shpejti.”



