Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim dy zyrtarë të lartë të Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë, të akuzuar për një sërë veprash penale, mes tyre abuzim me fondet publike dhe shpërdorim të detyrës.
Në pranga të akuzës kanë rënë N.D., ish-president i Urdhrit të Stomatologëve, si dhe A.G., zëvendës presidente, të cilët sipas hetimeve, kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për të manipuluar buxhetin dhe strukturat vendimmarrëse të institucionit që nga viti 2016.
Sipas Prokurorisë, N.D. ka abuzuar me fondet publike, duke rritur në mënyrë të paarsyeshme buxhetin vjetor të USSH-së për përfitime personale dhe duke punësuar njerëz të afërt pa asnjë kriter, me qëllim kontrollin total të Këshillit Kombëtar.
Edhe pse ishte nën hetim dhe i marrë i pandehur, ai ka vijuar të kryejë veprime aktive për të konsoliduar pushtetin personal, duke e kthyer strukturën në një institucion në funksion të interesave të veta.
Paratë e institucionit, sipas akuzës, janë përdorur për bileta, pagesa fiktive dhe shpenzime të pajustifikuara në favor të familjarëve dhe të tretëve, duke konsumuar veprën penale të “vjedhjes përmes shpërdorimit të detyrës”.
Nga ana tjetër, edhe A.G., e cila mban funksionin e zëvendëspresidentes, ka rezultuar se ka marrë vendime të paligjshme financiare për vitin 2024, ndonëse nuk kishte atributet ligjore për të vepruar.
Për më tepër, ajo është emëruar në kundërshtim me një vendim gjykate, ndërkohë që ka autorizuar zbatimin e një buxheti të përkohshëm përtej kufijve ligjorë, duke shkelur masat e vendosura ndaj USSH-së dhe duke u bërë subjekt i veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Të dy të pandehurit akuzohen për veprat penale:
“Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” – Neni 135 i Kodit Penal
“Shpërdorim detyre” – Neni 248
“Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” – Neni 321
Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë. Tashmë, mbetet në dorën e togave të zeza të vendosin për fatin e ish-drejtuesve të Urdhrit të Stomatologëve, në një çështje që mund të zbulojë edhe më shumë detaje mbi abuzimet me fondet publike dhe shkeljet flagrante të ligjit në institucionet e pavarura.