back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaSkandal në drejtësinë penale/ Ish-kreu i Burgjeve në gjyq për përgjimin e...

Skandal në drejtësinë penale/ Ish-kreu i Burgjeve në gjyq për përgjimin e SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim në ngarkim të ish‑drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, si dhe dy të pandehurve të tjerë, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, lidhur me tentativën për thyerjen e sistemit të e‑mailave dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike të SPAK.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet zbuluan se Arnold Rrokaj, i cili ishte i hetuar me masë sigurie “arrest në burg”, kishte arritur të aksesonte në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Një pjesë e këtyre materialeve iu dërguan në mënyrë të paligjshme dy të tjerëve, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shpërndanë më tej tek persona të tretë.

Zambak Gjoni, gjithashtu me masë sigurie “arrest në burg”, akuzohet për përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike, të kryer në bashkëpunim me grupin e strukturuar kriminal. Ai u identifikua dhe arrestua brenda 24 orësh, duke parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të materialeve.

Ndërsa Agim Ismaili, i hetuar në gjendje të lirë, akuzohet se, pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre materialeve të siguruara në mënyrë të paligjshme, i shpërndau ato më tej dhe madje kërkoi të thellohej përgjimi i paligjshëm i sistemeve kompjuterike të Prokurorisë, duke synuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.

Hetimet e SPAK vlerësuan se veprimet e tre të pandehurve përbënin bashkëpunim të strukturuar kriminal, duke përfshirë kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, në formën e veçantë të bashkëpunimit.

SPAK ka theksuar se veprimet e shpejta hetimore dhe identifikimi i autorëve brenda një kohe të shkurtër, parandaluan shpërndarjen e mëtejshme të informacionit konfidencial, duke mbrojtur integritetin e materialeve hetimore të institucionit.

Rasti konsiderohet si një nga operacionet më të rëndësishme kundër krimit kompjuterik dhe sulmeve ndaj institucioneve të drejtësisë në vend, duke vënë në dukje rëndësinë e mbrojtjes së sistemeve digjitale të prokurorisë dhe të të dhënave të ndjeshme shtetërore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat