Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i lënë jashtë listës së sigurt për deputet nga Sali Berisha, ka reaguar me një mesazh të gjatë ku i sugjeron opozitës rrugën që duhet të ndjekë në legjislaturën e re.
Spaho thekson se ripërsëritja e skenave të forcës në Kuvend, si ato të viteve 2022–2025, nuk do të sillte asnjë rezultat, duke kujtuar se edhe vetë ka qenë pjesë e tyre. Sipas tij, opozita duhet të qëndrojë në parlament dhe të prodhojë alternativa ndaj mazhorancës.
Ai nënvizon se përshpejtimi i integrimit evropian duhet të jetë objektivi kryesor i opozitës gjatë viteve 2025–2029, duke ndërtuar një strategji të qartë që synon anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda periudhës 2027–2030.
Gjithashtu, Spaho kërkon që opozita të paraqesë një paketë të plotë reformash institucionale, ku të përfshihet reforma kushtetuese, ajo në ekzekutiv, parlament, administratë publike, ndarje territoriale, reforma zgjedhore dhe plotësime në drejtësi.
Në fund, ai i bën thirrje opozitës të ekspozojë gjeneratën e re të politikanëve, të cilët sipas tij janë të përgatitur për të ndërmarrë rrotacionin politik të domosdoshëm për vendin.