Është shtyrë seanca në Apelin e Posaçëm për shqyrtimin e kërkesës së presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për shuarjen e masës së sigurisë. Seanca e radhës është caktuar për datën 14 nëntor, në orën 09:00.
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë kërkesa e paraqitur nga mbrojtja për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani, me argumentin se ajo ka gjykuar më parë çështjen për revokimin e masës së sigurisë ndaj Metës, ku vendosi mospranimin.
Avokati Kujtim Cakrani deklaroi se “e njëjta gjyqtare nuk mund të gjykojë të njëjtin person mbi dy kërkesa të ndryshme”.
SPAK kishte mbyllur hetimet më 28 korrik, ndërsa dosja “Meta” u kalua për gjykim në fund të gushtit, duke përfshirë tre hetime kryesore: aferën CEZ–DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Ndërsa Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë në bashkëpunim, dhe Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.



