Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se akuzat e ngritura ndaj tij janë “totalisht pa baza”, duke theksuar se ai ka respektuar me rigorozitet çdo procedurë ligjore dhe institucionale.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se asnjëherë nuk i ka shkuar ndërmend të mos respektojë procedurat apo të organizojë protesta përballë institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se, ndonëse protesta të tilla janë zhvilluar edhe në vende si SHBA, ai ka zgjedhur një tjetër qasje.
Ai e cilësoi masën e parë të sigurisë ndaj tij si antikushtetuese dhe u shpreh i bindur se ajo do të rrëzohet në Gjykatën e Strasburgut. Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese për shkelje të Kushtetutës dhe mungesë transparence, duke theksuar se publiku ende nuk është njohur me vendimin e marrë më 17 të muajit për çështjen e tij.
Sipas Berishës, standardet e drejtësisë kanë ndryshuar ndjeshëm krahasuar me të kaluarën. Ai solli shembuj nga periudha kur ishte kryeministër, duke deklaruar se kërkesat për heqje imuniteti apo arrestime ndaj ministrave janë pranuar pa pengesa, ndërsa sot, sipas tij, qeveria po bllokon kërkesat e drejtësisë, përfshirë edhe rastin e Belinda Ballukut.
Berisha theksoi se denoncimet e tij nuk kanë të bëjnë me interesat personale, por me interesin publik. “Jam kryetari i një partie opozitare dhe deputet, dhe kam detyrimin të mbroj interesin publik çdo minutë”, u shpreh ai.
Ai ngriti akuza të forta për lidhje mes krimit dhe politikës, duke deklaruar se ka dijeni për dosje të rënda që, sipas tij, po mbahen të fshehura nga organet e drejtësisë. Berisha paralajmëroi se do të vijojë denoncimet, pavarësisht presioneve dhe, siç i quajti ai, fushatave të shpifjeve ndaj tij dhe opozitës.
Në përfundim, Berisha deklaroi se do të vazhdojë të flasë dhe të denoncojë atë që e konsideron të vërtetë, edhe në kushte të vështira, duke theksuar se heshtja do të thoshte mosmbrojtje e interesit publik.



