Ndërkohë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur kërkesë për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kjo e fundit u shfaq këtë të hënë në parkun eolik të Tropojës, në një aktivitet publik krah Kryeministrit Edi Rama.
Balluku mori pjesë në prezantimin e projektit të energjisë së erës, ku mbajti edhe fjalën e saj, duke theksuar rëndësinë e investimeve të huaja dhe tranzicionit energjitik në Shqipëri. Ajo deklaroi se sektori energjitik po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe se projektet e energjisë së rinovueshme do të forcojnë ekonominë dhe pavarësinë energjetike të vendit.
Në deklaratat publike nuk pati asnjë koment lidhur me zhvillimet në SPAK apo me kërkesën e raportuar për arrestim. As Kryeministri Rama nuk u ndal në këtë çështje gjatë aktivitetit.
Parku eolik i Tropojës, me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, po zhvillohet nga kompania amerikane CWP dhe konsiderohet një nga projektet më të mëdha në fushën e energjisë së rinovueshme në vend.



