Në ditën e dytë të takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit Shqipëri-Bashkimi Europian, u diskutua progresi dhe sfidat e institucioneve të shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, vuri theksin tek nevoja për vazhdimin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe theksoi se inspektori i drejtësisë duhet të rrisë efektivitetin, ndërsa hetimet ndaj zyrtarëve të lartë mbeten një sfidë. Schieder përmendi gjithashtu përdorimin e inteligjencës artificiale nga qeveria dhe strategjinë antikorrupsion si hapa pozitivë.
Nga ana e opozitës, Gazment Bardhi kritikoi qeverinë për dështim në luftën kundër korrupsionit dhe për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Bardhi theksoi probleme si mosdixhitalizimi i kadastrës dhe vonesat në drejtësi.
Ndërsa socialistët, përfaqësuar nga Ulsi Manja, theksuan se ka përparim, por mbeten sfida përpara. Ai nënvizoi se 114 hetime financiare dhe sekuestrime pronash janë prova e punës së qeverisë për zbatimin e reformës në drejtësi.
Tedi Blushi, nga Partia Liberale, citoi raportet ndërkombëtare duke theksuar se Shqipëria mbetet e pasigurt në luftën kundër korrupsionit dhe se koha për të marrë drejtësi për një qytetar arrin deri në 15 vite, duke e quajtur drejtësinë “të vonuar dhe të mohuar”.
Taulant Balla, bashkëkryetar i këtij komiteti, kundërshtoi qëndrimet e opozitës, duke theksuar se progresi i reformës në drejtësi është i matshëm dhe çdo kritikë duhet të vendoset në kontekstin e rezultateve konkrete.
Takimi i Komitetit Parlamentar Shqipëri-BE theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave në drejtësi, transparencës në qeverisje dhe forcimin e mekanizmave për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.



