back to top
15.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaSPAK nuk mund të përdorë celularët si “peshkim” të jetës private/ Vendos...

SPAK nuk mund të përdorë celularët si “peshkim” të jetës private/ Vendos Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë një vendim me rëndësi të veçantë në raportin mes hetimit penal dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, duke vendosur kufij të qartë për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë në procedimet penale të drejtuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në vendimin nr. 44, datë 29 korrik 2025, Gjykata ka pranuar pjesërisht ankimin kushtetues të Onejda Ymerajt dhe ka konstatuar shkeljen e fshehtësisë së korrespondencës dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, për aq sa të dhënat e sekuestruara nga telefoni i saj celular nuk lidhen me objektin e hetimit penal.

Thelbi i çështjes
Rasti lidhet me sekuestrimin e një telefoni celular nga oficerët e policisë gjyqësore në kuadër të një hetimi penal për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK ka argumentuar se veprimi ishte i domosdoshëm dhe urgjent për të shmangur rrezikun e humbjes ose fshirjes së të dhënave elektronike.

Kërkuesja, nga ana tjetër, ka pretenduar se nuk ishte person nën hetim dhe se sekuestrimi u krye pa vendim gjykate, duke çuar në aksesim të gjerë të të dhënave personale dhe korrespondencës private, përfshirë informacione sensitive që nuk lidhen me hetimin.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata ka theksuar se telefoni celular është më shumë se një objekt fizik; ai përmban një “arkiv” të jetës personale dhe profesionale të individit, duke përfshirë korrespondencën dhe të dhënat e palëve të treta. Për rrjedhojë, sekuestrimi i tij përbën një ndërhyrje serioze në privatësi.

Gjykata ka vendosur se ndërhyrja duhet të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale. Ajo ka konstatuar shkelje kushtetuese për të dhënat që nuk lidhen me objektin e hetimit dhe ka urdhëruar asgjësimin e kopjeve të tyre, ndërsa ka lejuar ruajtjen vetëm të informacionit relevant për hetimin, nën kontrollin gjyqësor dhe garancitë procedurale.

Mesazh për organet e hetimit
Ky vendim vendos një standard të ri praktikës hetimore: sekuestrimi dhe ekspertimi i celularëve nuk mund të përdoren për të “peshkuar” jetën private të individëve. Organet e ndjekjes penale duhet të dallojnë qartë mes provës së nevojshme dhe ndërhyrjes së tepruar në të drejtat themelore.

Vendimi hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe ngarkon SPAK-un që brenda tre muajve të zbatojë masat e urdhëruara duke respektuar garancitë kushtetuese.

file:///C:/Users/User/Desktop/E Verteta.al/Desktop/vendimi%20kushtetuesja.pdf

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat