Këtë të martë, në ambientet e SPAK është paraqitur Indrit Hoxha, Sekretar për Diasporën në Partinë Demokratike, i cili është thirrur në lidhje me hetimin për financimin e Kuvendit të “Rithemelimit”, të zhvilluar më 11 dhjetor 2021.
Sipas burimeve, thirrja e Hoxhës lidhet me një fraksion të hetimit pasuror ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, në kuadër të dosjes së njohur si ajo e ish-Klubit Partizani. Hetimi po ndiqet nga prokurori i posaçëm Arben Kraja.
Fokusi i SPAK është përqendruar tek shpenzimet e kryera për organizimin e Kuvendit të “Rithemelimit” të PD-së, duke verifikuar burimet financiare dhe mënyrën e administrimit të tyre.
Një ditë më parë, për të njëjtën çështje, në SPAK u paraqit edhe deputeti demokrat Belind Këlliçi, i cili qëndroi rreth një orë e 30 minuta duke dhënë shpjegime përpara oficerëve të policisë gjyqësore.
Pas daljes nga SPAK, Këlliçi deklaroi shkurt se ishte thirrur “për një çështje periferike” nga prokurori Arben Kraja, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Burimet bëjnë me dije se deputeti është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, në kuadër të hetimit pasuror që po zhvillon SPAK.



