Në një seancë dëgjimore me deputetët e opozitës, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, prezantoi bilancin e sigurisë publike dhe masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar përmirësime të dukshme në nivel kombëtar.
Ministrja Koçiu u shpreh se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt, duke u bazuar në raportet ndërkombëtare dhe statistikave të brendshme. “Vendi ynë ka mirëpritur 12 milionë turistë dhe investitorë të huaj që hapin biznese ose blejnë prona. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza dhe siguria është rritur ndjeshëm,” deklaroi ajo.
Sipas Koçiu, për vitin e kaluar është arritur një nivel i lartë zbulueshmërie të krimeve, mbi 94%, ndërsa 20.19% e tyre janë zbardhur plotësisht. Ministrja nënvizoi se ka një ulje të ndjeshme të vrasjeve me dashje, nga mesatarisht dy vrasje në javë vitin e kaluar, në një vrasje çdo dy javë këtë vit. Në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, krahasuar me 41 të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa shpërbërja e grupeve kriminale është vlerësuar si një faktor kyç në këtë ulje.
Koçiu foli edhe për progresin në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe krimeve të rënda. Gjatë nëntëmujorit të parë janë zhvilluar 1,121 hetime për krime financiare dhe trafik narkotikësh. Nga SPAK janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë 65.5 milionë euro, të cilat po përdoren për financimin e projekteve sociale.
Në fushën e sigurisë rrugore, ministrja theksoi një ulje prej 17% të aksidenteve krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2024 humbën jetën 155 persona, ndërsa këtë vit numri ka rënë ndjeshëm. Koçiu evidentoi gjithashtu nevojën për rregulla më të qarta dhe respektim rigoroz për përdorimin e monopatinave elektrike, pasi janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente gjatë nëntëmujorit.
Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, Koçiu njoftoi se janë zhvilluar 479 operacione, dyfish më shumë se vitin e kaluar, prej të cilave 97 me partnerë ndërkombëtarë. Janë ngritur 22 skuadra hetimore për krimin ekonomik, kibernetik dhe narkotikët, dhe numri i personave të kapur është rritur ndjeshëm.
“Shpërbërja e grupeve kriminale, kontrollet e rrepta dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë ulur ndjeshëm veprat e rënda penale, duke përfshirë vrasjet me dashje, të cilat janë në nivele më të ulëta se kurrë,” përfundoi ministrja.



