Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku theksoi në fjalën e saj nga foltorja e Parlamentit se tashmë duhet një model ndryshe ekonomik dhe një politikë tjetër taksash.
Nga ana tjetër, Tabaku shton se buxheti i 2025 i hap rrugën pastrimit të parave përmes sektorit të ndërtimit.
“Ekonomia ka nevojë të shohim në prizëm tjetër. Një model që stimulohet nga një politikë taksash. Një model që nuk ka lidhje me buxhetin që do vijë javën e ardhshme në parlament. Ulja e kursit të këmbimit po shkatërron sektorin fason. Ka 75 mijë punonjës që mund të hidhen në rrugë. Cila është përgjigja e qeverisë? Është i vetmi buxhet që e ka të formalizuar pastrimin e parasë sepse bazohet tek rritja e ndërtimit. Këto shqetësime edhe në emër të grupit parlamentar që sot në buxhet dalin më reale se kurrë. Këto kanë nevojë të dëgjohen nga politika”, tha ajo.
Tabaku vuri në dukje se, qeveria sa herë del në aksione informalitetit ka dështuar, shkruan Tema.
“Struktura taksave ndikon në informalitetin dhe nuk mbështet punën. Kam folur e debatuar me njerëz të shtresës së mesëm. Pyetja kryesore e tyre është kur do të krijohet mundësia të largohemi. Të punojmë në ndonjë vend tjetër me këto kualitete që kemi. Ky model ekonomik nga pak duar që nuk po prodhon më për 95% të qytetarëve”, u shpreh Tabaku.
Ajo deklaroi se, “ky model ekonomik nuk i çon ato shpenzime ekonomike aty ku duhen. Nuk i çon shpenzimet e bujqësisë aty ku duhen. Po i shpërndan me tollona për fushata elektorale. I çon tek të njëjta duar që kanë kapur ekonominë. Realitetin duhet ta ndryshojmë duke dhënë një ofertë ekonomike që ato kanë dëshirë ta zbatojnë”.