Ka përfunduar pa një deklaratë të përbashkët mbledhja e Komisionit të Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, e mbajtur në Strasburg. Ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës socialiste u shprehën optimistë për progresin e bërë, opozita shqiptare refuzoi të firmosë një deklaratë që, sipas saj, nuk pasqyron realitetin e problematikës në vend.
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, theksoi se opozita ngriti në tryezë shqetësime të thella mbi gjendjen e demokracisë në vend.
“Nuk jemi në Strasburg për të firmosur deklarata sa për sy e faqe, por për të kërkuar ndryshime reale që prekin jetën e qytetarëve,” u shpreh Tabaku, duke nënvizuar mungesën e sundimit të ligjit, përhapjen e korrupsionit dhe manipulimet në proceset zgjedhore si pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas saj, integrimi europian nuk është një qëllim formal, por një rrugë që kërkon reforma të thella, zgjedhje të lira dhe institucione të pavarura.
“Shqiptarët kanë nevojë që procesi i integrimit të ndihet në jetën e përditshme, jo të mbetet një slogan politik në tavolinat e qeverisë,” – vijoi Tabaku. “S’ka integrim të vërtetë pa demokraci funksionale dhe pa luftë ndaj korrupsionit.”
Opozita kërkoi që bashkëpunimi me BE-në të mos bazohet më në “fasada politike” por në angazhime të sinqerta për të përmirësuar cilësinë e demokracisë dhe jetën e qytetarëve shqiptarë. Tabaku theksoi se ky qëndrim nuk është bllokues, por thirrje për një kurs të ri që rikthen besimin te procesi i integrimit.