Jorida Tabaku, një nga emrat më të lakuar në radhët e opozitës si kandidate potenciale për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme lokale, tashmë të anuluara, ka shpjeguar publikisht arsyet e refuzimit të këtij propozimi.
Gjatë një interviste televizive në emisionin e moderatores Nisida Tufa, Tabaku tregoi se ndonëse Bashkia e Tiranës ka qenë një nga eksperiencat më të rëndësishme të karrierës së saj, ajo tashmë e konsideron si kapitull të mbyllur.
“E kujtoj me nostalgji bashkinë e Tiranës, por është vendi që ka një natyrë tjetër pune, përballje. Për mua është në të shkuarën, i kam marrë maksimumin asaj eksperience,” u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, kënaqësia më e madhe erdhi nga fakti që shumë qytetarë dhe anëtarë të Partisë Demokratike besonin se ajo mund të fitonte garën.
“Kënaqësia e momentit lidhej me faktin që njerëzit mendonin se unë mund ta fitoja. Për mua nuk ka kënaqësi më të madhe sesa mendimi i anëtarëve të PD, qytetarëve që unë mund ta bëja. Por për mua këtë vit ishte mjaft,” tha ndër të tjera deputetja.
Ajo shtoi se angazhimet dhe betejat që ka zhvilluar gjatë vitit të fundit do të rëndoheshin edhe më shumë nëse do të merrte përsipër garën për kryebashkiake.
“Për rrugëtimin që unë kam pasur gjatë këtij viti, mendoj se kishte qenë një vit i ngarkuar me beteja. Kandidimi për bashkinë do ta ekzagjeronte edhe më shumë luftën dhe angazhimin tim”, deklaroi Tabaku.
Deputetja e PD theksoi se Tirana mbetet një etapë formuese për të:
“Bashkia e Tiranës është vendi ku kam mësuar më shumë. Politika aty njihet më mirë se kudo tjetër.”



