Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, ka komentuar për Euronews situatën në kampin opozitar dhe takimin e zhvilluar të premten nga kreu i PD-së me aleatët, përfaqësues të shoqërisë civile dhe figura të jetës publike.
Sipas Açkës, iniciativa e takimit ishte pozitive, por ajo theksoi se disa nga pjesëmarrësit në atë tryezë janë vetë burimi i krizës brenda opozitës. Ajo u shpreh se një pjesë e përfaqësuesve opozitarë nuk ofrojnë zgjidhje, por përbëjnë problemin kryesor që e ka çuar opozitën në situatën aktuale.
Ish-deputetja u tregua kritike ndaj strukturave ekzistuese të Partisë Demokratike, duke nënvizuar nevojën për një reformim të thellë të brendshëm. Sipas saj, pa një “transfuzion” politik dhe organizativ, opozita nuk mund të ndryshojë gjendjen aktuale dhe të rikthejë besimin e qytetarëve.
Açka theksoi se përparësi duhet të jetë krijimi i hapësirave për zëra kritikë brenda partisë, të cilët, sipas saj, janë shpesh të etiketuar si “armiq”, ndonëse kërkojnë një opozitë më të fortë dhe më funksionale.
Duke iu referuar takimit të së premtes, Açka u shpreh se në disa raste ai u shndërrua më shumë në një përpjekje për të afirmuar lidershipin aktual, sesa në një diskutim të thellë për zgjidhjen e krizës. Ajo vlerësoi gjithashtu disa zëra të shoqërisë civile, të cilët, sipas saj, ngritën kritika të qarta për gjendjen e Partisë Demokratike dhe mungesën e frymëzimit politik.
Sipas Açkës, konflikti mes dëshirës së një pjese të së djathtës për ndryshim dhe pamundësisë për të performuar politikisht mbetet një nga arsyet kryesore të krizës së opozitës shqiptare.



