Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë ka vendosur të përjashtojë për 15 ditë nga seancat plenare kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Vendimi u mor pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, që akuzoi Bardhin për shkelje të rëndë të etikës parlamentare dhe të Rregullores së Kuvendit.
Burime nga Kuvendi bëjnë me dije se shkak për masën disiplinore janë bërë tensionet e krijuara në seancën e fundit plenare, ku debati midis deputetëve të opozitës dhe mazhorancës degjeneroi në ndërprerje të përsëritura dhe bllokim të zhvillimit normal të seancës.
Në kërkesën e paraqitur nga PS, theksohej se Bardhi kishte ndërhyrë në mënyrë të përsëritur, me tone agresive dhe gjuhë fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit, duke penguar fjalën e folësit dhe duke kontribuar në përshkallëzimin e tensionit në sallë.
“Deputeti Gazment Bardhi ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone agresive, ndërpreu folësin dhe përdori fjalë shumë të rënda fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit. Këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të etikës parlamentare,” – thuhet ndër të tjera në kërkesën e socialistëve.
Megjithëse PS kërkoi përjashtimin e Bardhit për 30 ditë, Sekretariati i Etikës vendosi ta gjobisë me 15 ditë përjashtim nga seancat, duke e konsideruar masën të mjaftueshme në raport me shkeljet e konstatuara.
Ky vendim pritet të shkaktojë reagime nga opozita, e cila më herët ka akuzuar mazhorancën për përdorim selektiv të masave disiplinore dhe përpjekje për të shtypur zërin opozitar në Kuvend.
Në javët e fundit, tensionet në sallën e Parlamentit janë rritur ndjeshëm, me ndërprerje të seancave, përplasje verbale dhe akuza të ndërsjella mes palëve politike një situatë që tregon se klima politike mbetet e nxehtë dhe e polarizuar, ndërsa Kuvendi përgatitet për sesionin e vjeshtës.