Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, edhe këtë të hënë u paraqit para ambienteve të SPAK-ut për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” në kuadër të hetimeve për çështjen “Partizani”. Edhe këtë herë, Berisha shfrytëzoi daljen para gazetarëve për të sulmuar kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani.
Berisha e cilësoi Dumanin “avokat të gjyqtares Irena Gjoka” dhe “armik të pluralizmit”, duke pretenduar se kreu i SPAK mbron interesa të caktuara dhe jo drejtësinë.
I pyetur për sulmet e vazhdueshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, Berisha deklaroi se qëllimi i tij nuk është të ngrejë akuza personale, por të informojë qytetarët për atë që ai e quajti “llum në organet e drejtësisë”.
“Një ministër në Rumani dha dorëheqje sepse nuk kishte dorëzuar një dokument vetëdeklarimi. Këtu kemi të bëjmë me një kriminel që fshihet pas krimit dhe mbrohet nga një person që paguhet për të mbrojtur qytetarët nga krimi. Unë nuk kam paraqitur akuza, por vula apostile. Po u tregoj shqiptarëve çfarë llumi ekziston në këto organe të drejtësisë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së vijon t’i cilësojë veprimet e SPAK-ut ndaj tij si politike, ndërsa procesi ndaj tij për çështjen e ish-kompleksit “Partizani” mbetet në fazën e hetimeve.



