Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për dosjen e dytë në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e Livadhës.
SPAK kërkon 2 vite burgim për Goron, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet në 1 vit e 4 muaj. Goro akuzohet për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim, me përfitues të paligjshëm të tokës ish-kryebashkiakun e Himarës, Arqile Bollano.
Po ashtu, për të bashkëpandehurin Vasillaq Strakosha, ish-drejtor i menaxhimit të pronës në Bashkinë e Himarës, SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 1 vit.
Sipas hetimeve, Goro dhe Strakosha kanë firmosur në kundërshtim me ligjin dokumente që lejonin kalimin e pronës publike në mënyrë të paligjshme, duke favorizuar persona të caktuar në zonat bregdetare me vlerë të lartë turistike.
Kjo është dosja e dytë penale ndaj Jorgo Goros, i cili më parë është përballur me drejtësinë për çështje të tjera të ngjashme në lidhje me administrimin e tokave në Himarë.