Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e Francës të mërkurën, duke ndërprerë trafikun, djegur kazanë plehrash dhe përleshur me policinë, në kuadër të lëvizjes së quajtur “Blloko Gjithçka”. Demonstratat pasqyrojnë zemërimin popullor ndaj klasës politike dhe shkurtimeve të planifikuara të buxhetit.
Forcat e sigurisë u vendosën në të gjithë vendin për të hequr bllokadat dhe për të ruajtur qarkullimin normal. Zyrtarët thanë se Franca nuk ishte e bllokuar plotësisht, megjithatë dhjetëra protestues u arrestuan dhe pati disa përleshje me policinë.
Protestat erdhën dy ditë pasi parlamenti rrëzoi kryeministrin Francois Bayrou në një votë besimi mbi planet e tij për të zbutur borxhin në rritje të vendit. Pas kësaj, Presidenti Emmanuel Macron emëroi kryeministrin e tij të pestë në më pak se dy vjet, Sebastien Lecornu, një aleat i ngushtë, që nxiti zemërimin e krahut të majtë.
Në Paris, zjarrfikësit hoqën objekte të djegura nga barrikadat e ngritura nga studentët pranë shkollave të mesme. Policia arrestoi 132 persona deri më tani. Një përfaqësues i sindikatës CGT tha: “Është e njëjta gjë, është Macron ai që është problemi, jo ministrat. Ministrat janë problem, por më shumë është mënyra e punës së Macron që duhet të ndryshojë.”
Në qytetin perëndimor të Nantës, protestuesit bllokuan një autostradë me goma dhe kontenierë të djegur. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë njerëzit që tentuan të pushtonin një rrethrrotullim.
Ndërsa në Montpellier, në jugperëndim, protestuesit ngritën një barrikadë dhe mbanin banderola ku shkruhej: “Macron jep dorëheqjen”. Policia shpërndau turmën duke përdorur gaz lotsjellës dhe duke u përballur me objekte të hedhura nga protestuesit.
Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, tha se rreth 50 persona me kapuçë tentuan të bllokonin trafikun në Bordeaux dhe se një zjarr me kabllo në Tuluzë u neutralizua shpejt. Ai shtoi se 80,000 forca sigurie ishin mobilizuar në të gjithë vendin, përfshirë 6,000 në Paris, ndërsa mediat raportuan se rreth 100,000 njerëz priteshin të merrnin pjesë në demonstrata.
Lëvizja “Blloko Gjithçka” reflekton pakënaqësinë e popullit ndaj asaj që protestuesit e konsiderojnë një elitë qeverisëse jofunksionale dhe një politikë kursimi të dhimbshme. Retailleau paralajmëroi: “Ne rrezikojmë të kemi një mobilizim që do të çojë në veprime në të gjithë vendin.”