back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 23 Nëntor, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëTrump po e detyron Ukrainën të kapitullojë

Trump po e detyron Ukrainën të kapitullojë

Mediat ndërkombëtare kritikojnë ashpër planin amerikan për Ukrainën, duke e quajtur dhuratë për diktatorin rus Vlladimir Putin.

Gazeta suedeze DAGENS NYHETER:

“Ende nuk dihen të gjitha detajet, por me sa duket në to përfshihet që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi, gjuha ruse të njihet si gjuhë zyrtare në mbarë vendin, ushtria të zvogëlohet, të heqë dorë nga disa sisteme armësh dhe në vend të mos stacionohen trupa të huaja. E gjithë kjo përmblidhet me një fjalë: kapitullim. Presidenti rus Putin nuk lejohet ta përpijë tërë vendin menjëherë, por merr një kafshatë të madhe dhe së shpejti mund të marrë pjesën tjetër. Që SHBA-të po negociojnë në këtë mënyrë me Moskën, duke e anashkaluar Ukrainën, është turp. Ta quash këtë një plan është qesharake – këto janë vetëm kërkesat që Kremlini i ka parashtruar gjatë gjithë kohës. Por ajo që është edhe më keq: Trump, hap pas hapi, e ka përmirësuar pozitën e Putinit dhe e ka zier Europën si bretkosat”.

Gazeta holandeze DE TELEGRAAF:

“Në fshehtësinë më të madhe është punuar për një plan të presidentit Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë. Pasi dolën detajet, shtrohet pyetja nëse Europa dhe Ukraina po braktisen nga amerikanët. Plani i supozuar i paqes i ngjan më shumë një plani kapitullimi. Të shpërblesh Rusinë nuk paraqet vetëm rrezik për Ukrainën, por gjithashtu do të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të këtij konflikti hibrid kundër Europës. Agresorët kthehen përsëri dhe përsëri për të marrë edhe më shumë”.

Gazeta polake GAZETA WYBORCZA:

“Trump, të cilit po i bien rezultatet në sondazhe dhe i cili është nën presion për shkak të skandalit Epstein, ka nevojë për një sukses të fuqishëm. Dhe (ndërmjetësi) Witkoff, i cili më parë ka bërë propozime të ngjashme për paqe, duket se beson se këtë herë mund t’ia dalë, meqë presidenti ukrainas Zelenski, përballë një skandali masiv korrupsioni, mund të jetë më i gatshëm për lëshime. A do të funksionojë kjo lëvizje? Është e vështirë të imagjinohet, sepse ky plan është thjesht i papranueshëm për Ukrainën. Ndërsa europianët tashmë kanë treguar se mund ta mbrojnë Ukrainën me sukses nga presioni amerikan”.

Gazeta japoneze NIHON KEIZAI SHIMBUN:

“Po të arrihej realisht një marrëveshje me ndihmën e SHBA-ve, do të ishte një mesazh i rrezikshëm, jo vetëm për Rusinë, por edhe për shtetet e tjera me regjime autoritare. Do të thoshte se ndryshimi i status quo-së me dhunë është i lejueshëm. Me këtë shkatërrohet themeli i rendit botëror që është ndërtuar me mund pas Luftës së Dytë Botërore, dhe pasojat për brezat e ardhshëm mund të jenë jashtëzakonisht negative”.

Gazeta franceze LE FIGARO:

“Presidenti amerikan Trump i kishte premtuar presidentit ukrainas Zelenski një armëpushim përgjatë vijës së frontit, të siguruar me një mekanizëm mbrojtjeje për Ukrainën. Ukrainasit dhe europianët – aleatët e tyre të fundit – mund të shpresojnë me arsye të ndikojnë ende në plan. Në formën e tij aktuale ai nuk mund të zbatohet. Por filozofia mbi të cilën bazohet iniciativa është shqetësuese”.

Gazeta azerbajxhanase MÜSAVAT:

“Amerikanët thonë se vazhdimi i luftës do t’i sjellë Ukrainës humbje më të mëdha. Nëse është kështu, atëherë duhet t’i ndihmohet palës së sulmuar. Kjo nuk është sigurim paqeje, por do të thotë t’ia lësh fushën atij që gëzohet që mund të godasë kë të dojë”.

Gazeta britanike THE TIMES:

“Kievi ka refuzuar gjithmonë kushte të tilla për paqe. Megjithatë, presidenti Zelenski ka ritheksuar gatishmërinë për të shpjeguar pozicionin e Ukrainës ndaj çdo plani. Për këtë ai do të ketë nevojë për aleatët e tij pranë. Europa, e cila ka më së shumti për të humbur nga ekspansionizmi rus, duhet të veprojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për tradhti. Paqe, po. Por jo me një çmim që e përcakton Putini”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat