Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka propozuar që në ligjin për parandalimin e konfliktit të interesave të futen edhe drejtuesit e institucioneve si Tatimet dhe Doganat, gjatë një seance në Komisionin e Ekonomisë.
Braçe theksoi se disa kufizime tek deputetët janë të nevojshme, por nuk duhet të shkohet në ekstrem. Sipas tij, situata është e rregullt për deputetët që deklarojnë të ardhurat e tyre dhe nuk shfrytëzojnë krahun e punës në mënyrë të padrejtë.
“Ka deputetë që vijnë nga zonat rurale dhe kanë hektarë tokë, do t’i shfrytëzojnë ato sipas mundësive që kanë, sepse nuk ka krah pune tjetër atje. Deputeti si beu që shfrytëzon krahun e punës nuk shkon. Janë disa gjëra që duhen kufizuar tek deputeti, por nuk mund të shkojmë në ekstrem. Për sa kohë ai deklaron të ardhurat,” tha Braçe.
Deputeti socialist u ndal tek diferencimi që bëhet mes deputetëve dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore. Ai theksoi se ligji aktual nuk përfshin drejtorët e Tatimeve dhe Doganave, por sugjeroi se ata duhet të jenë pjesë e kontrolleve të pasurive, duke argumentuar se një trajtim i pabarabartë mund të krijojë probleme.
“Fusha e veprimit të një deputeti është e përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe statusin e deputetit. Një deputet nuk është i njëjtë me një drejtor agjencie ekzekutive qeveritare që menaxhon interesa direkte dhe tendera për vite me radhë. Ta lëshosh një drejtor që ka menaxhuar miliona euro, vetëm një vit pa u punësuar në sektorin ku ka punuar, nuk shkon,” tha Braçe.
Ai shtoi se ligji duhet të mbrojë veprimtarinë e drejtuesve aktualë, duke mos kufizuar në mënyrë të padrejtë drejtuesit që kanë pasur detyra menaxheriale ose ekzekutive në sektorë të ndryshëm.
Braçe gjithashtu foli për kufizimet në jetën private dhe shpenzimet e deputetëve, duke theksuar se disa përcaktime mund të krijojnë konflikte artificiale.
“Ka deputetë që kanë pantallona apo tuta të shtrenjta, por si do të përcaktohet stili i jetesës? Deputetit i ndalohet të kryejë çdo detyrë tjetër, përveç mësimdhënies ose të japë vetëm mend, veç kësaj nuk i lejohet gjë tjetër,” tha ai.



