Që prej 1 korrikut, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është mbyllur zyrtarisht, ndërsa përgjegjësia për menaxhimin e ndihmës së huaj kalon në duart e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi ndryshimin e rëndësishëm në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara do të menaxhojnë ndihmën ndërkombëtare, duke argumentuar se pas një rishikimi të gjerë të programeve dhe shpenzimeve, USAID ka dështuar të avancojë interesat kombëtare në mënyrën e duhur.
“USAID ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë,” deklaroi Rubio, duke shtuar se agjencia shpesh ka promovuar ide dhe grupe anti-amerikane dhe ka përdorur modelin e saj të ndihmës si bamirësi, në vend që të jetë një instrument i politikës së jashtme.
Nga 1 korriku, programet e ndihmës së huaj që përputhen me politikat e administratës amerikane do të menaxhohen drejtpërdrejt nga DASH, me qëllim përmirësimin e llogaridhënies, strategjisë dhe efikasitetit.
USAID ka qenë aktive edhe në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, ku për periudhën 2020-2024, organizatat joqeveritare kanë përfituar rreth 1.7 miliardë dollarë. Vetëm në Shqipëri, USAID ka dhënë rreth 189 milionë dollarë ndihmë gjatë këtyre katër viteve.
Mbyllja e zyrave të USAID dhe transferimi i përgjegjësive tek Departamenti i Shtetit synon të vendosë Shtetet e Bashkuara në një pozicion më të fortë kundër modeleve të tjera ndërkombëtare të ndihmës, si ai i Kinës. Sekretari Rubio e përshkroi këtë si fillimin e një “epoke të re partneriteti global, paqeje, investimesh dhe prosperiteti.”