Gjykata e Lartë ka refuzuar sërish kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë dhe heqjen e sekuestros preventive mbi pasuritë e Arben Meskutit, i arrestuar në lidhje me dosjen e “Mikrokredive”. Me këtë vendim, Meskuti do të vazhdojë të mbahet në paraburgim.
Ai dyshohet se ka mashtruar mijëra qytetarë debitorë përmes një skeme piramidale të ndërtuar me disa shoqëri financiare që drejtonte.
Procedimi penal ndaj Meskutit nisi në shkurt 2020, pas kallëzimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe hetimeve të Prokurorisë së Tiranës. Hetimet zbuluan se pesë shoqëri financiare, përfshirë Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS dhe FLASH, kishin marrë nga një bankë e nivelit të dytë mbi 3,999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera, me vlerë totale rreth 7.3 milionë euro.
Në dhjetor 2024, Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë për këtë dosje dhe e referoi atë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).