back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaVeliaj drejt Strasburgut?/ Mbrojtja ndërkombëtare godet vendimin e Gjykatës

Veliaj drejt Strasburgut?/ Mbrojtja ndërkombëtare godet vendimin e Gjykatës

Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryetarin e pezulluar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar avokatët e tij ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë vendim si shkelje të të drejtave të njeriut dhe të procesit të rregullt ligjor.

Në një deklaratë të përbashkët, firmat ligjore “Kasowitz LLP” nga SHBA dhe “Mishcon de Reya” nga Mbretëria e Bashkuar, që përfaqësojnë juridikisht Veliajn, shprehen se po shqyrtojnë ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm në instanca ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Daniel Fetterman, përfaqësues i “Kasowitz LLP”, deklaroi:

“Mbajtja në paraburgim e kryebashkiakut Veliaj – pa ngritjen e një akuze formale dhe pa vlerësuar masa alternative më proporcionale – bie ndesh me parimet e një procesi të rregullt ligjor dhe me sundimin e ligjit.”

Ndërsa Ben Brandon nga “Mishcon de Reya” theksoi shqetësimin për përputhshmërinë e masës me normat ndërkombëtare:

“Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut ndalon ndalimet arbitrare. Masa e arrestit duhet të jetë proporcionale, e domosdoshme dhe e arsyetuar. Ne po presim arsyetimin e plotë të vendimit të Gjykatës së Lartë, por jemi duke shqyrtuar të gjitha rrugët ligjore të mundshme.”

Sipas tyre, vendimi për të mbajtur Veliajn në paraburgim është marrë pa vlerësuar mundësitë e masave më të buta dhe përbën precedent që cenon standardet e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Erion Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim si pjesë e një hetimi të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në kuadër të një dosjeje të gjerë për abuzime me tendera dhe procedura publike. Përfaqësuesit e tij ligjorë, vendas dhe të huaj, kanë paralajmëruar se do të ndjekin rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë masë sigurie, si në gjykatat shqiptare ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat