Apeli i Gjykates se Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të zëvendësuar masën e arrestit me burg me një masë më të butë, si garancia pasurore ose detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Në njoftimin zyrtar thuhet se vendimi i Apelit konfirmoi masën e arrestit të caktuar më parë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, duke rrëzuar ankimimin e Veliajt. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe u drejtua nga gjyqtarja Nertina Kosova.
Veliaj kërkoi të jetë vetë i pranishëm gjatë seancës dhe refuzoi përfaqësimin nga avokatët e tij. Ai iu drejtua Apelit pasi gjyqtarja e hetimit Etleva Deda kishte refuzuar më parë kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.
Vendimi vjen pas kalimit të Veliajt dhe 29 të pandehurve të tjerë në gjykim themeli, pas afro pesë muajsh seancë paraprake. Me këtë vendim, masa e arrestit me burg për kryebashkiakun e Tiranës mbetet në fuqi, duke konfirmuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.



