Mes temperaturave ekstreme dhe rritjes së rrezikut nga zjarret vit pas viti, Shqipëria vijon të investojë shuma minimale për mbrojtjen e qytetarëve nga flakët. Të dhënat zyrtare tregojnë se për vitin 2025, fondi i dedikuar për 61 bashkitë e vendit me qëllim parandalimin dhe shuarjen e zjarreve është vetëm 21 milionë euro – rreth 9 euro për çdo qytetar.
Ky buxhet shënon një rritje prej 5.6 milionë eurosh krahasuar me vitin e kaluar, por mbetet larg nevojave reale. Vetëm deri në mesin e gushtit, flakët kanë shkrumbuar mbi 40 mijë hektarë pyje e kullota, sipas Sistemit Evropian për Zjarret në Pyje, ndërsa në gjithë vitin 2024 u dogjën 46.6 mijë hektarë.
“21 milionë euro për 61 bashki nuk janë investim, por iluzion i sigurisë,” – thekson Instituti për Bashkitë. Sipas këtij institucioni, nëse fondi ndahet në mënyrë të barabartë, secila bashki do të kishte vetëm 344 mijë euro në vit për pajisje zjarrfikëse, pompa uji, infrastrukturë dhe mjete mbrojtëse – shumë që nuk mund të garantojë reagim efektiv në situata emergjente.
Disbalancë e thellë mes bashkive
Bashkia Tiranë ka buxhetin më të madh për mbrojtjen nga zjarret me 275 mijë euro, e ndjekur nga Durrësi (94.5 mijë euro), Kukësi (75.3 mijë euro), Elbasani (70 mijë euro) dhe Shkodra (67.3 mijë euro). Por ka bashki si Divjaka, Rrogozhina, Vau i Dejës dhe Vora që për të përballuar flakët kanë vetëm 19 mijë euro.
Në qarkun e Vlorës – një nga më të goditurit këtë verë – buxheti total për 7 bashkitë është vetëm 202 mijë euro, ndërkohë që zjarret në Finiq, Delvinë dhe zona të tjera janë ende aktive. Gramshi, ku fshatra të tëra po evakuohen, ka në dispozicion vetëm 24 mijë euro për t’u mbrojtur nga flakët.
Emergjencat Civile dhe ndihma nga jashtë
Përveç fondeve të bashkive, Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion të Emergjencave Civile 55 milionë euro për vitin 2025 – nga 34 milionë që ishte vjet. Së bashku me buxhetin vendor, shuma totale për emergjencat dhe zjarret arrin në 76 milionë euro.
Megjithatë, mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme për të përballuar flakët ka bërë që Shqipëria të mbështetet tek helikopterë të ardhur nga vende të BE-së dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Paralajmërimi i Bankës Botërore
Banka Botërore ka paralajmëruar se Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve nga rreziqet klimatike, duke përfshirë zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut dhe tërmetet.
Në kushtet e ndryshimeve klimatike dhe verave gjithnjë e më të nxehta, shifrat tregojnë se mbrojtja nga zjarret vijon të mbetet një nga pikat më të dobëta të sigurisë kombëtare.



