Një rezidencë e re artistësh e njëkohësisht një ambient i hapur kulturor, i ofrohet kryeqytetit përmes Vilës 31, ish-vila e diktatorit Enver Hoxha, deri dje e izoluar, që falë projektit të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Fondacionin “Art Explora”, është transformuar për të sjellë një sinergji të re artistike në krijimtarinë bashkëkohore vendase, duke e hapur atë ndërkombëtarisht.
Vila është rinovuar nga studio prestigjioze ndërkombëtare “NeM Architectes” dhe programi do të presë mbi njëzet artistë në vit, për rezidenca 3-mujore të shpërndara në 3 sesione. Një gamë e gjerë ngjarjesh kulturore do të shfaqen në Vila 31 x Art Explora, duke përfshirë gjithë rajonin e Ballkanit.
Me rastin e çeljes së rezidencave të reja u organizua sot një konferencë e posaçme për media me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, Drejtorit Ekzekutiv të “Art Explora” Bruno Julliard dhe Drejtoreshës Artistike të “Art Explora” Blanche De Lestrange.
*Fondacioni i mirënjohur “Art Explora” ndërton dialogun midis arteve dhe audiencës në shkallë lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim promovimin e ndarjes së kulturës me audiencën më të gjerë të mundshme. Me artistë, organizata kulturore dhe palë të interesuara në këtë fushë, eksplorohet krijimi bashkëkohor në të gjitha format e tij dhe krijohen përvoja të paharrueshme kulturore. I themeluar nga filantropi Frédéric Jousset që prej majit të vitit 2023, ky është një fondacion i mirënjohur në interesin publik, i cili ka bashkuar shumë partnerë dhe ka mobilizuar deri tani mbi dy mijë vullnetarë.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Mirëmbrëma! Më vjen jashtëzakonisht mirë që sot mbaron një rrugë shumë e gjatë e përsihatjeve se çfarë duhet të ndodhë me këtë godinë dhe dilemave se çfarë programi mund të ishte kjo godinë, e tundimeve për ta shembur dhe për ta kthyer në diçka tjetër dhe mbaron në mënyrën, sipas meje, më të mire dhe në radhë të parë besoj falë dy arkitektëve që janë këtu – se këtu kush nuk u përshëndet dhe kush nuk u lavdërua, por unë besoj që të dy arkitektët që janë këtu të pranishëm kanë një meritë të jashtëzakonshme për mënyrën se si e kanë transformuar këtë hapësirë, këtë shtëpi me fantazma në një hapësirë që ka një program diametralisht të ndryshëm nga ai që ishte programi i kësaj ‘’shtëpie’’, por njëkohësisht, duke ruajtur një përmbajtje nga pikëpamja e dekorit që vetëm e bën këtë qendër më të jetueshme dhe më tërheqëse, dhe më frymëzuese në shumë aspekte.
Kështu që, shumë faleminderit për punën e bërë dhe jam gjithmonë i impresionuar kur shoh partnerin mashkull të çiftit të arkitektëve, se është gjithmonë i dëshpëruar edhe pavarësisht nga rezultati, pavarësisht nga puna, nga ngarkesa, pamja e tij është sikur është gati të japë lamtumirën nga kjo botë.
Shumë respekt për punën në të gjitha rastet! E nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që ky partneritet u përmbush në një kohë rekord, që për burokracinë franceze do të ishte e paimagjinueshme, apo jo? Do të duhet të kalonin, nuk e di sa presidentë të Francës që të arrinim në ditën që ta hapnim qendrën, por faktikisht, ne ishim këtu bashkë me Presidentin kur ai bëri vizitën e parë zyrtare të një presidenti francez në historinë e marrëdhënieve tona dhe sot, unë me shumë kënaqësi do t’i çoj një video nga hapja e qendrës, se kur i thashë që do hapet në më pak se dy vjet, kujtoi se dëgjoi një gënjeshtër ballkanike nga ato që ka lexuar nëpër libra dhe ja ku është e vërteta.
Dhe ajo që mund të them, unë erdha në fakt para disa ditësh, i hodha një sy gjithë punës së bërë dhe është realisht një gjë e jashtëzakonshme. Unë e kam parë godinën dhe më përpara në gjendjen që ishte, edhe pavarësisht se ideja që u përmend dhe këtu, ishte që projekti të ishte sa më i fshehur pas objektit dhe që arkitektët të ishin të padukshëm, ishte shumë e lehtë ta thoje, por jo e lehtë të mendoje që duke qenë arkitektët të padukshëm, rezultati do ishte ky që është dhe është një rezultat spektakolar në të gjitha hapësirat, ku çdo detaj, çdo objekt, çdo element që është futur ekstra i ri, çdo përzgjedhje, në çdo pozicion e pikturave të vjetra apo e gjërave të vjetra është absolutisht një vepër arti, kështu që jam i bindur që kur të kaloni nëpër të, do ta ndjeni këtë. Po s’e ndjetë duhet të shkoni të vizitoheni dhe të shikoni se ku e keni problemin.
E fundit që kam, është mundësia e jashtëzakonshme që krijohet për artistët e rinj, për artistët shqiptarë, për artistët e rajonit, për artistët nga e gjithë bota për t’u takuar së bashku në një hapësirë, ku secili ka zonën e vet të pavarësisë së plotë, por ku të gjithë bashkë kanë edhe hapësirën e përbashkët.
Është një eksperiencw, qw unë e kam kaluar në një farë mënyre, një eksperiencë të ngjashme, jo në një godinë si kjo, kaq speciale, por në Qendrën Ndërkombëtare të Arteve në Paris dhe kur erdha këtu, mu kujtua që para se të mbaroja qëndrimin atje, më vunë dhe një gjobë se kisha bërë pis me bojë parketin. Kështu që ju duhet të siguroheni që të jetë një gjobë e tillë që ju vihet përpara, se e mendova kur po shikoja gjithë këto parkete, gjithë këto dysheme, thashë duhet vënë ajo gjoba se kishin të drejtë francezët që e kishin me gjobë. Ishte goxha gjobë, më ka dhembur shumë në atë kohë, por u detyrova ta paguaj, ndërsa eksperienca është e jashtëzakonshme dhe jam i bindur që në këtë hapësirë do të krijohen sinergji të reja, do të krijohen mundësi të reja për, jo vetëm artistët që vijnë, por edhe për mënyën se si është ndërtuar projekti dhe Blanche tha, në mënyrë të përmbledhur, por shumë nga elementët e projektit që kanë ndërveprim të vazhdueshëm me botën e jashtme, në kuptimin me botën përtej mureve të godinës dhe patjetër dhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Kështu që, nuk më mbetet asgjë tjetër veçse t’i uroj sa më shumë sukses Art Explores në këtë ekspeditë të re jashtë kufijve dhe t’i uroj që ta kalojnë sa më mirë të gjithë artistët që do kenë fatin, privilegjin që do përzgjidhen sepse siç e dëgjuat, është një konkurencë e jashtëzkonshme, njëzet veta për njëmijë veta dhe jam i bindur që do të rritet numri i atyre që do të duan të vijnë, siç po rritet në tërësi numri i të gjithë atyre që duan të vijnë në Shqipëri. Kështu që, kush e merr këtë mbështetje është vërtetë me fat dhe patjetër që më vjen shumë mirë që ne u bëmë sebep për këtë sepse ishte një gjë që mungonte.
Kemi diskutuar edhe për të shkuar përtej kësaj, por rëndësi ka që sot e hodhëm këtë hap të parë shumë domethënës.
Në prill, do të kemi fatin të kemi këtu Muzeun e parë lundrues që do të qëndrojë për 10 ditë në Portin e Durrësit, duke bërë gjithë unazën e Mesdheut dhe pastaj vitet e tjera do sjellim me siguri, të tjera të reja por këtu në këtë shtëpi për shumë e shumë vite ka jetuar një njeri që funksiononte vetwm me urdhëra dhe unë një urdhër kam tani në fund të fjalës sime, që duartrokitjen e rastit mos ta bëni se ‘’hajt se duhet duartrokitur se fola unë’’, por një duartrokitje do ta bëja me shumë nderim për arkitektët, për gjithë punën e jashtëzakonshme që kanë bërë. Realisht shumë respekt! Faleminderit dhe për duartroktijen! Kush nuk duartrokiti, duhet të shkojë të vizitohet. E patjetër edhe për Dhuratën dhe për gjithë ekipin që do të kujdesen në vazhdim për gjithë mbarëvajtjen e jetës së përditshme të banorëve të përkohshëm të godinës. Edhe atë gjobën e ke merak vetë ti pastaj, Dhurata. Shumë faleminderit!