Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Xhaferri, ka hedhur akuza të forta ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe qeverisë për pasurinë e saj të konsiderueshme, duke theksuar se 300 apartamente janë blerë me taksat e shqiptarëve, ndërkohë që një të ri shqiptar duhet të paguajë kredi për 30 vite për të blerë shtëpinë e parë.
“Kam katër vite që po ngre alarmin se pastrimi i parave të korrupsionit dhe narkotrafikut në ndërtim po krijon një emergjencë strehimi, kryesisht për familjet e reja. Janë me mijëra të rinj që më shkruajnë çdo ditë për këtë problem,” deklaroi Xhaferri.
Deputeti rikujtoi projektin e Partisë Demokratike, “Një çati për çdo çift të ri”, dhe theksoi se koha ka ardhur që qytetarët të reagojnë vetë për të mbrojtur të ardhmen e tyre. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje aktive në protestën e 22 Dhjetorit, duke e cilësuar këtë si një mundësi për qytetarët që të tregojnë vendin “hajdutëve të babëzitur të Rilindjes”.
“Askush nuk ka luksin të qëndrojë indiferent kur sheh se taksat tona grabiten barbarisht nga një sekt pervers që nuk e lidh asgjë me këtë komb. Ne do të jemi në ballë të kësaj proteste, e cila ka vetëm një mision: largimin e kësaj narkodiktature,” tha Xhaferri.



