Arabia Saudite vijon të tundoi me miliona yjet e futbollit botëror, por jo të gjithë zgjedhin paratë përpara karrierës, apo mundësisë për të fituar trofe aty ku futbolli është i rëndësishëm, në Evropë.
Prej kohësh, sheikët saudit po përpiqen të bindin Salah të largohet nga Liverpool, në fakt, edhe vetë sulmuesi egjiptian ka qenë shumë i dyzuar në këtë pikë të karrierës së tij, por nga Anglia bëjnë me dije se Salah ka vendosur të rinovojë kontratën e tij me ekipin e kuq. Salah është futur në vitin që i përfundon kontrata, por shifrat dhe rendimenti i tij kanë bindur drejtuesit e Liverpool t’i paraqesin një ofertë të re, e cila sipas mediave është më e mira në treg për Salah.
Në këto kushte, “faraoni” pritet të firmos një kontratë të re, madje zyrtarizimi mund të vijë përpara fundit të sezonit. Në një situata thuajse të ngjashme është edhe Vinicius jr. Al Hilal i ofroi një kontratë me të vërtetë të çmendur, 200 milionë euro në vit, por as kaq nuk kanë mjaftuar për të tunduar sulmuesin brazilian. Sipas mediave spanjolle, në shtëpinë e Real Madrid janë të bindur se Vinicius jo vetëm që nuk do të largohet, por palët mund të shkojnë drejt një rinovimi të kontratës aktuale e cila i skadon në 2027.