Kur Eni Vasili mori drejtimin e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) në fund të prillit 2025, pritej që të përballej me vështirësi, për shkak të një institucioni të mbingarkuar nga burokracia dhe financat e paqarta. Por pak kush mund të kishte menduar se transmetuesi publik ishte kthyer në një “gropë thithëse” fondesh publike, me kontrata të fryra, abuzime të dokumentuara dhe shpenzime të pajustifikueshme, të cilat e kanë çuar në prag të kolapsit.
Borxhet dhe pagat e papaguara
Skena u ndez publikisht me rastin e Kozeta Kurtit, autore dhe drejtuese e një emisioni javor, e cila denoncoi se nuk ishte paguar prej pesë muajsh për punën e saj. Denoncimi shkaktoi një zhurmë të madhe mediatike, duke ekspozuar për herë të parë shkallën e problemeve brenda RTSH-së.
Në një reagim për Albanian Post, drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, pranoi se ka pasur vonesa në pagesa, por vetëm për projektet e jashtme, duke theksuar se punonjësit e brendshëm janë paguar gjithmonë në kohë.
Dokumentet e siguruara nga AP tregojnë se për projektin e Kurtit, “Ditari i një artisti”, preventivi shkon deri në 4.8 milionë lekë (rreth 50 mijë euro). Vetë Kurti përfiton 700 mijë lekë (7 mijë euro) si skenariste dhe drejtuese, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes instrumentistëve, gazetarëve, montazhierëve e aktorëve.
Një shkresë e 10 qershorit 2025 tregon se janë miratuar pagesat për muajin prill, në vlerën 200 mijë lekë vetëm për Kurtin. Por shuma ende nuk i është disbursuar, ndërsa pagesa e fundit ka qenë në mars. Për katër emisione të muajit mars, Kurti ka marrë 120 mijë lekë si skenariste dhe 80 mijë lekë si drejtuese.
Në total, vetëm për prillin, formati i Kurtit përfiton 1.37 milionë lekë (14 mijë euro).
Kontratat e tjera problematike
Kjo nuk është një histori e izoluar. Dokumentet e AP zbulojnë edhe raste të tjera të ngjashme.
“Një Shqipëri”
Emisioni i autorëve Mentor Nazarko dhe Xhafer Rakipllari, për periudhën mars–korrik 2025, ka kërkuar shlyerjen e honorarëve me një total prej qindra mijëra lekësh. Vetëm për tetë emisione, Nazarko përfiton 336 mijë lekë (rreth 3,500 euro), duke u paguar si skenarist dhe bashkëdrejtues. Kërkesat për pagesa përfshijnë edhe gazetarë, aktorë dhe të ftuar.
Sipas burimeve, shqetësuese mbetet fakti se ky emision, megjithëse transmetohet vetëm dy herë në javë, kërkon dy skenaristë dhe dy drejtues, me honorare të konsiderueshme, duke u krahasuar me kufirin maksimal që RTSH parashikon për projekte të jashtme.
“Miqtë e Pasdites”
Edhe emisioni i pasdites me imazhin e Beniada Nishanit, ish-konkurrente e “Big Brother”, ngre pikëpyetje të mëdha. Për muajin prill, Nishani përfiton 388 mijë lekë (rreth 4 mijë euro) si skenariste dhe drejtuese. Një tjetër skenariste paguhet 330 mijë lekë.
Së bashku me pagesat për personazhet e tjerë, kosto mujore e këtij emisioni arrin në 893 mijë lekë (9 mijë euro).
Garderoba luksoze
Një dokument tjetër i siguruar nga AP ekspozon shpenzime të konsiderueshme për garderobën e drejtuesve të emisioneve. Kostumet e porositura te stilisti Altin Mici kanë shkuar deri në 1,000 euro për copë, këmishat 250 euro dhe shamitë 50 euro secila.
Këto shifra ngrenë alarmin mbi mënyrën e pakontrolluar të menaxhimit të fondeve, në një kohë kur institucioni mbështetet tërësisht nga taksapaguesit.
Në këtë situatë, përgjegjësitë e drejtuesve të mëparshëm dalin në pah. Në dokumente përmendet edhe ish-zëvendësdrejtoresha Aurora Polo, e cila ka pasur rol kyç në miratimin e projekteve me kosto të larta.
Këto kontrata, të lidhura pa kriter dhe shpesh me shifra të fryra, janë një nga shkaqet kryesore që e kanë çuar RTSH-në në gjendjen aktuale.
Më shqetësuese akoma është fakti që, sipas AP, dëmi më i madh lidhet me marrëdhënien me Unionin Evropian të Transmetimit (EBU). Dokumente dhe faksimile të siguruara tregojnë se RTSH është në një rrugë të vështirë për të vijuar kontratën me këtë institucion ndërkombëtar, duke rrezikuar penalitete apo kufizime të rënda.
Skandalet me vonesa pagash, kontrata të fryra, garderoba luksoze dhe projekte pa shikueshmëri, janë vetëm maja e ajsbergut të problemeve të RTSH-së. Eni Vasili, në krye të institucionit prej vetëm disa muajsh, përballet me një sfidë të dyfishtë: shlyerjen e borxheve dhe rikthimin e besimit tek publiku dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ajo që mbetet për t’u parë është nëse drejtuesja e re do të arrijë ta transformojë RTSH-në, apo nëse transmetuesi publik do të vazhdojë të jetë një “gropë thithëse” e fondeve të qytetarëve.