Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar pas raportimeve për hyrjen e dronëve sulmues rusë në hapësirën ajrore polake, duke e cilësuar incidentin si një veprim të qëllimshëm dhe të planifikuar nga ana e Moskës.
Në një deklaratë publike, Zelensky theksoi se deri tani janë identifikuar 8 dronë, dhe prova të shumta tregojnë se ky sulm nuk ishte aksidental. “Gjithnjë e më shumë prova tregojnë se kjo lëvizje, ky drejtim i sulmit, nuk ishte aksidental,” tha ai.
Presidenti ukrainas kujtoi se incidente të ngjashme kanë ndodhur më parë, por jo me këtë përmasë dhe me një shënjestër kaq të drejtpërdrejtë. “Këtë herë, po regjistrojmë një shkallë shumë më të madhe dhe një shënjestër të qëllimshme,” shtoi Zelensky.
Zelensky u shpreh se Ukraina është e gatshme t’i ofrojë Polonisë të gjitha të dhënat e disponueshme dhe të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi efektiv paralajmërimi dhe mbrojtjeje kundër kërcënimeve të ngjashme. Ai theksoi se agresioni rus përbën rrezik për çdo vend të pavarur në rajon dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit evropian për siguri të përbashkët.
Presidenti ripërsëriti thirrjen për krijimin e një sistemi të përbashkët evropian të mbrojtjes ajrore, për të siguruar mbrojtje efektive ndaj dronëve dhe raketave ruse. Ai përfundoi: “Së bashku, evropianët janë gjithmonë më të fortë. Rusia duhet të ndiejë se përgjigja ndaj këtij hapi përshkallëzues, dhe akoma më shumë ndaj një përpjekjeje për të poshtëruar një nga vendet kyçe të Evropës, do të jetë e qartë dhe e fortë nga të gjithë partnerët.”