Në Tiranë u zhvillua Konferenca Rajonale e OSBE-së mbi lidhjen mes trafikimit të drogës dhe krimeve të dhunshme. Në fjalën e saj, Ngarkuarja me Punë e SHBA-së, Nancy VanHorn, u ndal te mandati i kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, duke theksuar se ai do të zëvendësohet pasi mandati i tij ka përfunduar sipas ligjit.
VanHorn nënvizoi rëndësinë e një procesi të paanshëm, transparent dhe të lirë nga çdo ndikim i jashtëm për zgjedhjen e pasardhësit të Dumani. “SPAK-u është aq efektiv sa është e garantuar pavarësia e tij për të ndjekur kriminelët, pavarësisht lidhjeve të tyre,” tha ajo.
Diplomatja amerikane vlerësoi punën e deritanishme të SPAK-ut dhe theksoi rëndësinë e vazhdueshmërisë së luftës kundër krimit dhe korrupsionit përmes një drejtësie të pavarur dhe funksionale.