back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 16 Janar, 2026
spot_img
KreuAktualitetZgjedhjet e 11 majit, më të shtrenjtat në histori/ Fatura kalon 3.1...

Zgjedhjet e 11 majit, më të shtrenjtat në histori/ Fatura kalon 3.1 miliardë lekë

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë rezultuar më të shtrenjtat në historinë e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka raportuar një faturë totale prej mbi 3 miliardë e 100 milionë lekësh, një shumë që tejkalon çdo precedent të mëparshëm.

Shkaku kryesor për këtë kosto rekord ka qenë vota e diasporës, e cila u zbatua për herë të parë në këto zgjedhje. Shërbimi postar për votimin nga jashtë vendit rezultoi ndër zërat më të rëndë në buxhet, duke kapur vlerën mbi 912 milionë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i KQZ-së për zgjedhjet u nda në dy kategori kryesore: shërbime dhe mallra. Pjesa më e madhe e shpenzimeve u bë për shërbime teknike, logjistike dhe postare, ndërsa rreth 220 milionë lekë u përdorën për materialet zgjedhore të ditës së votimit.

Një pjesë e vogël, por e konsiderueshme e fondeve, rreth 22 milionë lekë, u përdor për fushata informuese publike në median tradicionale dhe digjitale.

Rinumërimi i votave, një tjetër kosto shtesë
Fatura e zgjedhjeve mund të kishte qenë edhe më e lartë nëse nuk do të kurseheshin 390 milionë lekë nga fondi i parashikuar prej 3.2 miliardë lekësh. Kursimi erdhi për shkak të mospërdorimit të menjëhershëm të fondeve të parashikuara për rinumërimin, i cili u kërkua pas zgjedhjeve në qarqet Tiranë, Fier dhe pjesërisht Durrës.

Këto fonde do të përdoren për të mbuluar koston e procesit të rinumërimit dhe për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore, të cilat janë në pritje në të paktën tre bashki: Mat, Berat dhe Tepelenë.

Nëse këto zgjedhje do të konfirmohen, shpenzimet totale të vitit zgjedhor 2025 pritet të kalojnë vlerën e 3.137 miliardë lekëve, duke shënuar një tjetër rekord financiar për sistemin zgjedhor shqiptar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat