Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar zyrtarisht ndaj pretendimeve të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili akuzoi ministrin Igli Hasani për ushtrim presioni ndaj misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në një deklaratë publike, MEPJ sqaroi se letra e përmendur nuk përbën ndërhyrje në punën e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe as ushtrim presioni, por është pjesë e praktikës standarde në çdo proces zgjedhor.
“Sqarimet janë dërguar për t’u konsideruar në përpilimin e raportit përfundimtar, bazuar në fakte dhe prova. Marrja në konsideratë e tyre është në diskrecion të plotë të Misionit të ODIHR-it,” thuhet në reagimin e Ministrisë.
Sipas saj, është një praktikë e zakonshme që autoritetet e shtetit pritës të japin kontekst dhe saktësime mbi raportin paraprak të vëzhguesve, në mënyrë që raporti përfundimtar të reflektojë një pasqyrë sa më të qartë të situatës zgjedhore.
Në të njëjtën deklaratë, MEPJ rikujtoi se edhe vetë ODIHR ka pohuar më herët se nuk ka ndjerë asnjë presion nga autoritetet shqiptare dhe se pavarësia e punës së tyre ka qenë e pacënuar.
“MEPJ mbetet e angazhuar për të respektuar në çdo kohë pavarësinë dhe integritetin e mekanizmave ndërkombëtarë të vëzhgimit zgjedhor dhe mandatin e tyre,” përfundon reagimi.
Ndërkohë, Sali Berisha ka publikuar një letër që, sipas tij, vërteton përpjekjet e qeverisë për të ndikuar përmbajtjen e raportit të ODIHR, duke e cilësuar si presion të drejtpërdrejtë ndaj misionit të vëzhguesve.
Ky përballje vjen në një moment kur raporti përfundimtar i zgjedhjeve pritet të luajë një rol kyç në debatin politik për legjitimitetin e procesit zgjedhor të 11 majit.