Avokati dhe ish-prokurori i Krimeve të Rënda, ka komentuar dekretimin e zgjedhjeve nga presidenti Bajram Begaj në Bashkinë e Tiranës, ndërsa ende pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi shkarkimin e Erion Veliajt.
Sipas Beçit, ligji për vetëqeverisjen vendore dhe Kushtetuta nuk mund të interpretohen veçmas, pasi në të kundërt krijohen boshllëqe ligjore. Ai theksoi se dorëzimi i ankimimit në Gjykatën Kushtetuese duhet të ketë efekt pezullues automatikisht mbi vendimin e shkarkimit.
“As Presidenti dhe asnjë institucion nuk mund të paragjykojnë dhe të thonë se është çështje administrative apo kushtetuese. Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese”, tha Beçi.
Ai shtoi se procedura e ndjekur ka pasur shkelje thelbësore, duke kujtuar se personi i shkarkuar ka të drejtë të njihet me arsyet dhe të marrë pjesë në proces.
Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të Veliajt, Beçi kujtoi se ka precedentë kur ky institucion ka kthyer në detyrë ish-prokurorë të përgjithshëm dhe kryetarë bashkie, por sipas tij problemi mbetet tek mungesa e një organi ekzekutiv për zbatimin e vendimeve të saj.
“Është momenti që Gjykata Kushtetuese të marrë rolin e saj si gardiane e Kushtetutës dhe të mos fshihet pas interpretimesh”, u shpreh Beci i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.