Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi sot mbi ecurinë e hetimeve për krimet zgjedhore, duke bërë me dije se prokurorët e posaçëm kanë ndërmarrë veprime konkrete në terren, përfshirë kontrolle personale, të banesave dhe zyrave. Sipas tij, janë ekzekutuar 20 vendime gjyqësore për kontrolle, ku janë sekuestruar prova dhe dokumente që do t’i shërbejnë hetimeve në vijim.
“Janë ushtruar disa kontrolle në banesa, zyra dhe mbi persona të ndryshëm. Janë sekuestruar dokumente dhe prova të rëndësishme që ndihmojnë procesin hetimor,” tha Dumani.
Megjithatë, kreu i SPAK nënvizoi se hetimet përballen me sfida të shumta, mes tyre edhe cilësia e ulët e kallëzimeve nga subjektet politike. Sipas tij, shumë prej materialeve të depozituara në SPAK janë të paplota dhe nuk ndihmojnë sa duhet në zbardhjen e veprave penale zgjedhore.
“Nevojitet më shumë ndërgjegjësim publik dhe një mbështetje më e madhe për denoncimet, përmes fushatave informuese dhe garancive ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve,” theksoi Dumani, duke bërë thirrje për një qasje më aktive nga qytetarët dhe institucionet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.