Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë sot në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ngjarjen e parë të këtij lloji të organizuar nga Komisioni Evropian, që fokusohet te prioritetet e mandatit 2024–2029 për zgjerimin e BE-së.
Rama ndodhet në Bruksel në kuadër të agjendës për çeljen e grupkapitullit të fundit të negociatave me BE-në dhe do të jetë pjesë e panelit të nivelit të lartë pasditen e sotme.
“Forumi i Zgjerimit të BE-së është nisma kryesore e Komisionit Evropian që synon ta ngrejë më lart diskutimin mbi zgjerimin e BE-së si një projekt të përbashkët politik, shoqëror, brezash,” thuhet në prezantimin e ngjarjes, e cila mblidh një gamë të gjerë pjesëmarrësish nën moton: “Plotësimi i Unionit, Sigurimi i së Ardhmes Sonë”.
Forumi do të shërbejë si pikë takimi për profesionistët që punojnë mbi prioritetet kryesore të mandatit 2024–2029 të Komisionit Evropian dhe janë të angazhuar në agjendën më ambicioze të zgjerimit në dekadën e fundit.
Informacione shtesë për forum, si dhe përfitimet që ky proces sjell për qytetarët shqiptarë, mund të ndiqen edhe në platformat sociale.



