back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetZjarri në restorantin e oficerit të BKH/ Rasti që ka ndezur dyshime...

Zjarri në restorantin e oficerit të BKH/ Rasti që ka ndezur dyshime të rënda

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në fshatin turistik të Thethit, ku restoranti “Villa Gjecaj”, në pronësi të Petrit dhe Aida Gjecajt, u përfshi nga flakët dhe u shkrumbua totalisht.

Petrit Gjecaj, pronari i biznesit, është oficer policie pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa bashkëshortja e tij, Aida Gjecaj, është një emër i njohur për publikun, pasi ka qenë më herët e ftuar në një podcast me kryeministrin Edi Rama.

Sipas të dhënave paraprake, dyshimet e para flasin për një zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa është përjashtuar mundësia që zjarri të ketë ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike.

“Ekspertët thonë se energjia nuk ishte shuar gjatë kohës që godina digjej, gjë që përjashton shkëndijën elektrike”, u shpreh Aida Gjecaj për mediat, duke shtuar se nuk ka pasur kërcënime dhe nuk ka asnjë konflikt të njohur.

Ngjarja ndodh në një moment të nxehtë në zonën e Thethit, ku fadromat e IKMT-së po shembin ndërtime pa leje, dhe vetë Gjecaj nuk është pjesë e këtij aksioni pasi restoranti dhe bujtina e saj nuk kanë pasur probleme ligjore. Megjithatë, ajo e ka cilësuar ngjarjen si një “koincidencë të keqe” që ngre pyetje të forta mbi motivet e mundshme.

“Unë jam një bujtinë e vogël me 5 dhoma dhe një restorant, nuk kam ndërtuar pa leje, ndaj nuk di çfarë të mendoj. Gjithçka është djegur dhe dëmi shkon në rreth 150 mijë euro”, shtoi ajo.

Ende asnjë reagim nga Policia
Deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga Policia e Shtetit në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa pritet të dalë ekspertiza zyrtare për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit. Burime pranë grupit hetimor nuk e përjashtojnë pistën e një zjarrvënieje me motive hakmarrjeje, në sfondin e aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat