Ledina Elezi
Në tremujorin e dytë, qeveria shqiptare planifikon të marrë 100 miliardë lekë borxh të brendshëm. Ministria e Financave ka publikuar kalendarin e emetimeve, sipas të cilit në muajin maj pritet të jetë vlera më e lartë e emetimeve të titujve qeveritarë.
Konkretisht, në prill parashikohet të emetohen 33.5 miliardë lekë tituj qeveritarë, në maj rreth 36 miliardë lekë, ndërsa në qershor vetëm 30.5 miliardë lekë.
Në krahasim me tremujorin e parë ku huamarrja e brendshme e qeverisë kapte vlerën e 132.5 miliardë lekëve, borxhi në tregun e brendshëm rezulton të jetë dukshëm më i ulët në tremujorin e dytë. Lloji më i emetuar i titujve qeveritarë janë bonot e thesarit 12-mujore, ndërsa nuk mungojnë as rihapjet e obligacioneve. Bonot 12-mujore janë gjithashtu instrumentet me shumën më të lartë, të cilat kapin një maksimum prej 9.5 miliardë lekësh në muajin maj.
Ndërkohë, Ministria e Financave ka nisur gjatë këtij viti emetimin e një instrumenti të ri afatgjatë, obligacionet 20-vjeçare si testim tregu. Ky instrument është emetuar fillimisht në muajin janar për t’u rihapur në mars, ndërsa do të emetohet për herë të dytë në muajin qershor për t’u rihapur në shtator.
Bazuar mbi planin vjetor të huamarrjes, totali i emetimeve pritet të jetë rreth 356.40 mld lekë gjatë vitit 2025. Instrumenti me emetime më të shpeshta dhe me shumë më të lartë pritet të jetë sërish bono thesari 12-mujore. Gjatë vitit 2025 do të maturohen në total rreth 306.41 mld lekë, prej të cilave 197.34 mld lekë bono thesari dhe 109.07 mld lekë obligacione.
Në muajin shkurt, Shqipëria emetoi edhe një eurobond të ri me një vlerë prej 650 milionë eurosh, i shtati në historinë e saj. Ky është konsideruar emetimi më i suksesshëm i Shqipërisë, që prej emetimit të parë në vitin 2010, dhe kjo për arsye të kërkesës shumë të lartë të investitorëve. Eurobondi ka një jetëgjatësi 10-vjeçare dhe do të maturohet në shkurt 2035.