Ola Mitre
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur tenderin ndërkombëtar për projektin “Programi i Investimeve në Shpërndarjen e Energjisë I”, duke ftuar kompanitë e interesuara të marrin pjesë. Procedura zhvillohet në bashkëpunim me KfW gjermane, si kreditore e projektit.
Programi pritet të përfundojë 3 komponentët e tij të parë deri në fund të vitit 2026, të cilët përfshijnë modernizimin e sistemit SCADA, përmirësime në sistemet e shpërndarjes, ndërtimin e nënstacioneve të reja dhe zgjerimin e rrjetit të tensionit të mesëm.
Kredia u miratua në vitin 2019 dhe ka një vlerë totale prej 30 mln euro. Në atë kohë u bënë me dije disa nga objektivat që synohet të arrihen, duke nisur nga ngritja e kapacitetit të sistemit të shpërndarjes, reduktimi i emetimeve të CO2 nëpërmjet reduktimit të humbjeve teknike, si dhe rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit nëpërmjet një efikasiteti dhe besueshmërie të shtuar të sistemit të shpërndarjes.
Nga kryerja e investimeve parashikohet një reduktim prej 20% i humbjeve në nënstacionet e përzgjedhur dhe rrjetin e tyre përkatës, si dhe një ulje me të paktën 10% e indekseve të performancës për energjinë e pa shërbyer në rrjetin e lidhur me nënstacionet e përzgjedhur.
Arritja e objektivave të programit pritet të përkthehet në një shërbim më të mirë për qytetarët, shmangien e ndërprerjes së energjisë, reduktimin e kostove, rritjen e eficiencës së sektorit dhe konsolidimin e tregut.