back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 18 Mars, 2025
spot_img
KreuAktualitetZgjedhjet e 11 majit/ Rama udhëzime kandidatëve për deputet, rikthen në vëmendje...

Zgjedhjet e 11 majit/ Rama udhëzime kandidatëve për deputet, rikthen në vëmendje Halit Valterin

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot ekipin me të cili PS do të prezantohet më 11 maj për qarkun e Tiranës.

Mes të tjerash kreu i qeverisë u ndal tek negociatat me BE, ku theksoi se Shqipëria ka nevojë për vetëm një vit e gjysmë për të arritur qëllimet e saj strategjike dhe për të mbyllur çdo proces të rëndësishëm, duke e parë si një moment historik për vendin.

Ai shtoi se llogaritë aritmetike nuk janë të rëndësishme, por ajo që ka vlerë janë llogaritë e shqiptarëve me historinë.

“Qielli duhet të jetë kufiri, llogaritë aritmetike nuk vlejnë, vlejnë llogaritë e shqiptarëve me historinë. Na duhen 1 vit e gjysmë, jo më shumë për t’i vënë gjërat në vijojë për të mbyllur gjithçka, dhe pastaj vetëm parlamente e vendeve të tjera që do të jenë ngjarje emocionuese ku çdo parlament do të ngrihet në këmbë të duartrokasë Shqipërinë. Sa i përket skuadrës tonë, jam i bindur që skuadra pasqyron më së miri këtë moment, nuk ka asnjë herë dot një skuadër perfektë por është e qartë se PS u ka dhënë mundësinë të gjithëve dhe ballistëve të shohin nga ne nëse nuk duan të vdesin në kënetë. Kemi një ballist këtu, Halit Valterin që që kur na njohu nuk na u nda ne. Në fillim vinte afër nesh për inat të atyre por më vonë kuptoi që ishte diçka më shumë se inati. Është shansi i tyre i fundit për të dalë nga këneta. Kur të hyjmë në BE, fjala Ball Kombëtar do të jetë vetëm një shprehje”, u shpreh Rama.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste në takimin me kandidatët për deputet të qarkut të Tiranës, për zgjedhjet e 11 majit:


Unë e vura re se cilët mbetën pa u përmendur në ato prezantimet e mëparshme megjithatë nuk po hyj në këtë korrigjim. Besoj që ajo që është më e rëndësishmja, është skuadra.
Ne kemi, sipas meje, një skuadër që sot u jep të gjithëve mundësinë që të zgjedhin, kemi një skuadër ku të gjitha moshat, të dyja gjinitë patjetër po në mënyrë të posaçme gratë dhe vajzat, kanë mundësi të gjejnë veten dhe të votojnë për veten. Ashtu sikundër si asnjëherë më parë PS ka një skuadër ku edhe më të rinjtë janë të mirë përfaqësuar, por ndryshe nga herët e tjera unë besoj që ka edhe një karakteristikë të re, të shumëpritur për mua personalisht, që në skuadrën e 11 majit ne kemi në të gjithë ekipin tonë edhe një përbërje domethënëse të atyre që kanë kapërcyer nga njëra anë tek tjetra dhe janë me ne pasi në një proces të gjatë ose më të shkurtër, kanë parë sesa pa lidhje dhe sesa e kotë është që të besosh se mund të vijë diçka e mirë ose mund të bëhet diçka e mirë për vendin e për njerëzit duke dalë për të kërkuar vota për ata që sot janë përballë nesh dhe është e mirëpritur për mua sepse unë besoj se PS është shumë më e gjerë sesa vetvetja. Është shumë më e gjerë sesa perimetri i anëtarësisë së vet dhe është shumë më e gjerë sesa shumëkush brenda nesh e percepton, duke harruar që në fund të ditës ne jemi këtu mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve dhe shqiptareve që me votën e diasporës mund të shkojnë afër 1 milionëshit dhe është e pamundur të mos mendojmë edhe të mos përpiqemi që këtë forcë tua vëmë në dispozicion të gjithëve pavarësisht dallimeve që mund të kemi në tryezë kur flasim për pikëpamjet tona lidhur me një çështje apo me një çështje tjetër, në fund ne duhet të jemi të gatshëm që Partinë Socialiste tua vëmë në dispozicion të gjithë atyre që duan të realizojnë dhe që ndajnë me ne qëllime të mëdha.
Në këndvështrimin tim, asnjëherë më parë, të paktën qysh se unë jam në krye të PS nuk ka pasur një moment zgjedhor si ky, me një peshë specifike gjeopolitike. Patjetër që të gjitha zgjedhjet kanë qenë të rëndësishme, patjetër që në çdo zgjedhje një parti si e jona hyn për të fituar dhe patjetër që çdo zgjedhje ka patur peshën e vet mbi fatin dhe mbi ecurinë e vendit por këto zgjedhje kanë një peshë specifike të posaçme sepse besoj që qysh nga zgjedhjet e para pluraliste ose le të themi dy zgjedhjet e para, ato të 91 dhe 92, këto zgjedhje janë të parat zgjedhjet që kanë një rëndësi të posaçme gjeopolitike për Shqipërinë.
Për herë të parë në eksperiencën time të drejtpërdrejtë mundësia e hyrjes së Shqipërisë në BE, është reale, është e prekshme, është konkrete dhe aktuale dhe patjetër që asnjëherë nuk e kemi vënë ne në dyshim, po besoj që nuk ka qenë asnjëherë e dyshuar as nga partnerët tanë europianë që vendi ynë është në BE, që Shqipëria do të jetë anëtarë e BE, por ama asnjëherë si sot, kjo nuk ka qenë diçka konkrete dhe aktuale. Është hapur një dritare që nuk do të qëndrojë aty e hapur përgjithmonë por që rrethanat e brendshme të Evropës e kanë hapur dhe ato rrethana janë përputhur me rrethanat tona të brendshme ku si rezultat i të gjitha përpjekjeve të bëra dhe si rezultat i arritjeve të realizuara, ne kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ky është një nga ato momente kur treni i historisë kalon përpara nesh dhe kur ne duhet të jemi të vetëdijshëm dhe duhet të vetëdijësojmë këdo që treni i historisë ndalon shumë pak në një stacion, nuk rri aty pafundësisht sepse e tillë është mënyra se si zhvillohet historia dhe të tilla janë këto momente kur në varësi nga lidershipi, në varësi nga kapaciteti i klasës politike, i forcës udhëheqëse të një vendi, vendi e kap trenin ose e humbet. Ne nuk mund ta humbim këtë tren, ne nuk duhet ta humbim këtë tren dhe ne nuk do ta humbim këtë tren. Është sot, duke parë të gjitha ndryshime tektonike që sapo kanë filluar në gjithë botën, ekzistenciale që ne të jemi brenda në BE dhe këtu ka një punë për të bërë, këtu ka një diskutim për të bërë me njerëzit, këtu ka nevojë që të gjithë ne në të gjithë këtë fushatë, në të gjitha kontaktet t’u flasim njerëzve për rëndësinë e këtij momenti dhe për rëndësinë e këtij ndryshimi të statusit tonë, sepse ndeshen jo rrallë njerëz të cilët e marri lehtë ose kanë një perceptim të gabuar për BE, ose e lidhin futjen në BE me episode sporadike ose me momente të cilat u kanë mbetur në kokë edhe u duket sikur kjo është diçka me një rëndësi relative. Kjo nuk është me rëndësi relative, kjo është me rëndësi jetike për Shqipërinë. Është me rendësi jetike për Shqipërinë dhe për shqiptarët sepse vetëm duke hyrë në BE, Shqipëria mund të sigurojë një herë e mirë lirinë individuale për çdo individ. Liria individuale e shqiptarëve është e kërcënuar për sa kohë ata rrinë jashtë BE, është e kërcënuar për sa kohë mbetet një çështje e lidhur me kush qeveris në Shqipëri, siç është e kërcënuar barazia para ligjit dhe sot tek barazia para ligjit ne e kemi shumë të qartë kërcënimin. Ne jemi këtu autor të reformës në drejtësi, udhëheqës të procesit transformues të drejtësisë dhe në vet të parë dhe bartës të kostove më të mëdha të këtij procesi. Me vetëdijen e plotë që pa këto kosto ky proces është i parealizueshëm dhe përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani.
Pra barazia para ligjit dhe ndërtimi i institucioneve që në fund të ditës bëjnë dallimin midis vendeve nuk janë diçka që është e garantuar nëse ne nuk jemi pjesë e BE. Vetëm kur të hyjmë në BE nuk do ketë rëndësi të madhe se kush qeveris këtu, nga pikëpamja e lirive, nga pikëpamja e barazisë para ligjit dhe nga pikëpamja e të gjithë standardeve të bashkëjetesës. Prandaj kjo është themelore.
Nga ana tjetër po kaq konkrete është mundësia që çdo shqiptar dhe çdo shqiptare në Shqipëri dhe kudo në botë të pajiset me pasaportën europiane të Shqipërisë. Dëgjoja disa që thoshin në ato komentet që më sjellin për të bërë ato kronikat e mia, që shiko tani e la Europën dhe tani do na japi pasaportën. Pasaporta e BE-së nuk është diçka që e jep qeveria. Pasaporta e BE buron nga hyrja në BE dhe ne duhet të bëhemi anëtar të BE që të marrim pasaportën e BE. Dhe marrja e pasaportës së BE për çdo shqiptar është një moment transformimi i plotë i jetës së tij, familjes së tij dhe mbi të gjitha i perspektives së fëmijëve dhe të fëmijëve të fëmijëve.
Pasaporta e BE i jep çdo shqiptari, çdo shqiptareje më në fund atë që s’e ka pasur kurrë. Dinjitetin e barabartë me këdo tjetër nën qiellin e përbashkët të Europës. I jep statusin e barabartë dhe mundësinë që kurrë më të mos shihet si qytetar apo qytetare e dorës së dyte. Pasaporta e BE i jep të gjithë fëmijëve të Shqipërisë që të studiojnë në çdo vend të BE si shtetas të BE, jo si studentë të huaj dhe kjo bën dallim të madh në shumë aspekte në jetën universitare.
I jep mundësi çdo shqiptari dhe shqiptareje që kur të shkojë në aeroport jo thjeshtë të mos rrijë përballë një polici dhe t’i shpjegojë ku po shkon, kush e ftojë, sa lek ka me vete, sa do rrijë dhe pastaj t’i përgjigjet pyetjes, kur do ikësh? Po të hyjë pa ndaluar asnjë sekondë përballë një polici thjeshtë duke treguar pasaportën dhe të qëndrojë sa të dojë dhe të punojë ku të dojë nëse gjen mundësinë për punë. Por edhe të jetë nën kujdesin e shërbimin shëndetësor e cilitdo vendi ku shkon. E thënë ndryshe, pasaporta e BE i jep çdo shqiptari dhe shqiptareje mundësinë që të jetë po aq suedez sa suedezët në Suedi, po aq Francës sa francezet në Francë, po aq spanjoll sa spanjollët në Spanjë dhe kështu me radhë. Kjo është pasaporta e BE, ky është anëtarësimi në BE.
Tani nga se rrezikohet kjo se dikush mund të thotë “po të gjithë këtu duan ta çojnë Shqipërinë në BE”. Edhe këneta “BE, BE, BE” thotë gjithë ditën. Gjithë bretkosat BE-në kanë në gojë. Pse duhet të shkoj vota te Partia Socialiste?
E thashë dhe më arë ky është një moment në histori. Ky është një moment, kjo është një dritare e hapur, ky është një tren që është para nesh në stacion dhe ka ndaluar në një kohë të caktuar. Koha është në 2027-ën. Na është pranuar dhe kemi dakordësuar që deri në fund të 2027-ës do mbyllim negociatat. Negociatat nuk janë as komente në Facebook, nuk janë as postime në Tik – Tok, nuk janë as analiza “rroma përtoma” nëpër klubet e natës, nuk janë as fjalime. Negociatat janë një punë për të qëruar oriz, në do ligj, në çdo nen, në çdo sektor dhe një punë për të provuar se çdo gjë që shkruhet, bëhet. Pra janë një punë e përditshme. Janë 1000 vet sot. Ne jemi këtu duke folur për zgjedhjet, 1000 vet pak a shumë janë në zyra që punojnë për negociatat. Janë 40 skuadra nga pushteti ekzekutiv, nga pushteti gjyqësor, nga agjencitë e tjera të pavarura që janë të angazhuara për negociatat dhe asnjë lëkundje, asnjë ndalim i kësaj pune, asnjë çoroditje nuk duhet lejuar të ndodhi. Kjo është përtej të gjithave dhe prandaj 11 maji duhet të jetë vula e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për t’i thënë kësaj skuadre vazhdoni punën sepse asgjë nuk lëviz, drejtimi nuk lëviz, koha shfrytëzohet minutë për minutë dhe gjërat siç janë parashikuar bëhen afat për afat. Nuk ka mundësi që ti shpjegosh BE që shiko se u bënë zgjedhjet dhe ka kështu një situatë, nuk ka mundësi. Ky është një moment ku çdo shqiptar duhet ta ndiejë dhe ta kuptojë që është pjesë e këtij procesi. Është vetvetiu pjesë e këtij procesi thjeshtë me votën e vet. Nuk i kërkohet të shkojë në zyrë apo të shkojë te dyqani e të fillojë të punojë për negociatat por i kërkohet që ,e votën e vet të garantojë të gjithë punën që bëhet për negociatat.
Dhe në fund të ditës, në fund të këtij procesi rezultati i parë konkret do të jetë që të marri pasaportën europiane të Shqipërisë dhe me atë pasaportë do jetë njeri i lirë dhe i barabartë në gjithë perimetrin e BE.
Kudo ku një shqiptar me pasaportën e BE do të gjendet dhe do ketë nevojë për një mbrojtje, për një ndihmë, për një emergjencë dhe nuk do ketë pranë një ambasadë të Republikës së Shqipërisë, ambasada më e afërt e BE është në dispozicion të tij, ose të saj ose të tyre. Kaq e rëndësishme është kjo. Me hyrjen tonë në BE Shqipëria bëhet sa Europa dhe Europa bëhet sa Shqipëria. Siç shkojmë nga Shkodra në Korçë me të njëjtën lehtësi, do shkojmë nga Portugalia në Poloni, nga Shqipëria në Suedi dhe askush nuk do na ndalojë, askush nuk do na e bëjë rastin e jetës kur jemi të rinj dhe jemi atje dhe me patjetër duhet të rrimë atje se ndryshe nuk na jepet mundësia të shkojmë prapë. Jo! Kthehemi, shkojmë prapë, provojmë, kthehemi, pra ndryshon komplet perspektiva, këto janë zgjedhjet e 11 majit në thelb.
Dhe për këtë arsye ne duhet të bëjmë ç’mosin që në këto zgjedhje të marrim rezultatin më të morë të të gjithë kësaj serie fitoresh, 9 fitoresh radhazi. Në 11 maj kemi radhën e 10 dhe duhet të marrim një fitore me notën 10 duke filluar nga Tirana ku qielli duhet të jetë kufiri, qielli. Llogaritë aritmetike nuk vlejnë në këto zgjedhje, në këto zgjedhje vlen një llogari tjetër. Llogaria e shqiptarëve me historinë e më të shkuarën e në të ardhmen. E ardhmja si asnjëherë më parë është e materializuar në këto zgjedhje me një votë sepse na duhen një vit e gjysmë, jo më shumë se një vit e gjysmë për ti vënë të gjitha gjerat në vijë dhe një vit, 2027 për të përmbyllur gjithçka.
Dhe pastaj vetëm parlamentet e vendeve të tjera që do të jenë ngjarje emocionale dhe historike më vete, 27 ngjarje ku çdo Parlament do votojë që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe do të çohet në këmbë të duartrokasë Shqipërinë, çdo Parlament i Europës.
Kjo është kaq konkrete saqë e bën politikën shumë konkrete, shumë, shumë konkrete.
Të gjitha të tjerat janë të rëndësishme; kanalizimet janë të rëndësishme, rrugët janë të rëndësishme, shkollat janë të rëndësishme, spitalet janë të rëndësishme, të gjitha janë shumë të rëndësishme. Patjetër që pagat janë shumë të rëndësishme, punësimi e të gjitha, por përtej të gjitha këtyre dhe e lidhur drejtpërdrejtë me të gjitha këto qëndron ky moment, mandati më i fortë deri më sot për Partinë Socialiste, për këtë forcë qeverisëse që 2030-ta ta gjejë Shqipërinë brenda në Bashkimin Europian dhe Bashkimi Europian, ndër të tjera se është dhe ana tjetër e medaljes, nuk është vetëm çështje lirish dhe të drejtash, është dhe një çështje drejtpërdrejtë e lidhur me ekonominë dhe rritjen e mirëqenies.
Disa e thonë pa të keq që “Kush është në BE, po sheh keq” muhabet kot. Të gjitha problematikat e brendshme të BE-së janë problematika që ne do të donim t’i kishim në vend se të kishim problematikat që kemi trashëguar dhe me të cilat mezi po ndahemi.
Të gjithëve u duhet thënë ama, në çdo takim, që BE-ja është një vlerë e shtuar financiare për Shqipërinë që ne në 10 vjet kemi marrë nga Bashkimi Europian si mbështetje pak më shumë se 1 miliardë euro, duke hyrë në BE çdo vit do të marrim më shumë se 1 miliardë euro.
Ne kemi marrë nga Bashkimi Europian mbështetje për bujqësinë që është shumë më pak në total sesa 300 milionë euro ndërkohë që 300 milionë euro do t’i marrim çdo vit vetëm për bujqësinë.
Për të mos folur për rininë, për programet e veçanta, për punësimin e rinisë, për të mos folur për teknologjinë e kështu me radhë sepse në BE hyn në një familje ku ka të rritur dhe ku ka të vegjël, ku ka vende të mëdha dhe të zhvilluara dhe ku ka vende më të vogla dhe më pak të zhvilluara dhe aty janë të ndara kategoritë; janë kontribuuesit siç janë të rriturit në një familje dhe janë dhe përfituesit siç janë të vegjlit në një familje dhe ne do të hyjmë tek kategoria e përfituesve. Pra, ne do të marrim nga BE-ja shumë më tepër sesa do të kontribuojmë për BE ndërkohë që Franca, Gjermania e disa të tjerë marrim nga BE-ja më pak se ç’kontribuojnë për BE-në dhe debati i tyre i brendshëm lidhet me këtë fakt por ama shumica dërrmuese vazhdon të jetë e vendosur për të qëndruar në BE sepse të mirat që burojnë nga të qenit në BE janë shumë më të mëdha sesa të mirat që do të mbeteshin duke dalë nga BE-ja. Shikoni vetëm Britaninë e Madhe dhe i keni parë të gjitha.
Fokusi tek BE-ja është sot kaq i rëndësishëm saqë bëhet çështje themelore e një fushate elektorale. Nuk ka qenë ndonjëherë çështje themelore, e kemi parë gjithmonë si konsekuencë të gjërave të tjera dhe patjetër që kemi shumë gjëra për të thënë edhe për të gjitha të tjerat duke filluar nga uji i pijshëm që na tregojnë histori me çezma që nuk nxjerrin ujë ndërkohë që kur ne e kemi marrë detyrën dhe kjo e ujit të pijshëm është shumë domethënëse sepse është pasqyrë konkrete këtu në fyt si në të gjitha të tjerat por kjo është shumë konkrete.
4 zona urbane kishte Shqipëria me 24 orë ujë të pijshëm. Sot ka 43 urbane dhe 98 rurale dhe janë 11 zona të tjera që janë në kantier dhe brenda mandatit të katërt kjo çështje do të jetë e ezauruar dhe patjetër që kur ne kemi nisur këtë punë kemi pasur këtë ambicie dhe patjetër që jemi këtu për ta realizuar këtë ambicie dhe të gjitha ambiciet e tjera dhe përsëri, po e mbyll, ne duhet të jemi shumë të vendosur sepse është historia më në qendër se kurrë të një pale zgjedhjeje.
Më në qendër se kurrë të një palë zgjedhjeje është historia e këtij vendi, janë zgjedhjet më historike nga 2013 e këtej ose më saktë, nga ’91-’92 e këtej. ’91-92 ishte për të konfirmuar një sistem tjetër ndërsa këto zgjedhje janë për të konfirmuar që Shqipëria bëhet pjesë e një sistemi të ri ndërkombëtar.
Përsa i përket, pastaj, të gjithë skuadrës sonë, unë jam shumë besimplotë që kjo skuadër që kemi në rang vendi e pasqyron më së miri këtë vetëdije dhe këtë moment, nuk ka asnjëherë dot një skuadër perfekte por ama besoj që është shumë e qartë për të gjithë që Partia Socialiste jua ka dhënë të gjithëve mundësinë, deri edhe ballistëve ju kemi dhënë mundësinë që të shohin nga ne nëse nuk duan të vdesin në kënetë.
Kemi një ballist këtu, Halit Valterin që qëkur na njohu nuk na u nda më. Në fillim e mori kështu si, në fillim vinte afër nesh nga inati atyre por pak nga pak kuptoi që nuk është çështje inati ardhja me ne, por është diçka shumë më tepër se kaq kështu që deri dhe ballistët e kanë mundësinë që t’i shmangen rënies në kënetë ose, xhanëm ata të rënë janë në kënetë por qëndrimit në kënetë, është shansi i tyre i fundit për të dalë nga këneta sepse në momentin kur do hyjmë pastaj në BE, fjala Ball Kombëtar do jetë thjesht një episod historik.
Nuk është shaka Halit, kjo është e vërteta kështu që shko tani dhe thuaji atyre të tuve që “Hajdeni këtu se mbetët përfundimisht në kënetë”.
Me këtë hudhër në fund për të mos marrë më sysh po e mbyll se hudhër më të mirë në një shtëpi politike sesa të kesh një ballist në fasadë, nuk ka.
Shumë faleminderit!

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat