Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka hequr dorë nga plani kontrovers për të shitur aksione të garave kryesore të organizatës, pas reagimeve dhe kundërshtimeve të shumta nga federatat kombëtare të futbollit.
Infantino deklaroi se propozimi kishte shkaktuar përçarje dhe se tashmë nuk i shërbente më qëllimit fillestar të projektit.
“Është bërë e qartë se ky projekt ka krijuar ndarje që nuk janë më në interes të objektivit tonë. Si rezultat, ky propozim nuk do të vazhdojë”, u shpreh kreu i FIFA-s.
Plani parashikonte përfshirjen e investitorëve privatë në disa nga turnetë më të rëndësishme të FIFA-s, përfshirë edhe Kupën e Botës. Infantino u kishte premtuar 211 federatave anëtare nga 40 milionë dollarë secilës, nëse do të mbështesnin këtë nismë.
Propozimi u përball me kundërshtime të forta, veçanërisht nga disa federata evropiane. 55 federatat anëtare të UEFA-s votuan të enjten për bojkotimin e Kupës së Botës nëse plani do të vazhdonte.
Tërheqjen e projektit e ka përshëndetur edhe presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit, Shaikh Salman bin Ebrahim Al Khalifa, i cili tha se e ardhmja e futbollit global duhet të ndërtohet përmes konsultimit, dialogut dhe respektimit të strukturave ekzistuese të qeverisjes së sportit.
Ndërkohë, drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, deklaroi se administrata e organizatës ishte mashtruar në lidhje me projektin dhe mënyrën se si ishte paraqitur ai.



