Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në qendër të Tiranës, ku ish-zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, raportohet se është zhdukur pa lënë gjurmë.
Familjarët e tij kanë bërë kallëzim në polici, duke deklaruar se kanë humbur çdo kontakt me Shimën që prej orës 13:30 të ditës së sotme. Policia ka nisur menjëherë kërkimet, ndërsa ngjarja ka ngjallur reagime të shumta për shkak të postit të lartë që Shima ka mbajtur dhe akuzave të mëhershme të ngritura ndaj tij.
Deklaratat e Ahmetajt dhe lidhja me tenderat 43 milionë euro
Emri i Daniel Shimës ka dalë në qendër të vëmendjes muaj më parë, pas një interviste nga arratia të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në korrik të vitit 2024. Ahmetaj deklaronte se një përgjim ambiental i kapur nga SPAK lidhej me tendera me vlerë 43 milionë euro përmes AKSHI-t.
Sipas tij, Shima ishte kërcënuar personalisht nga kryeministri Edi Rama që të “mbyllte gojën” për aferën.
“Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të heshtë. AKSHI është tmerr. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë se çfarë ndodh aty”, deklaronte Ahmetaj në atë kohë.
Shkarkimi pas thirrjes së Mirlinda Karçanajt në SPAK
Daniel Shima ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të AKSHI-t deri në mars 2024, kur u shkarkua në mënyrë të menjëhershme. Shkarkimi i tij ndodhi pikërisht ditën kur drejtoresha e agjencisë, Mirlinda Karçanaj, u thirr për disa orë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Menjëherë pas daljes nga SPAK, Karçanaj është rikthyer në zyrë dhe ka firmosur shkarkimin e Shimës, i cili tashmë konsiderohet i zhdukur.
Zhdukja e ish-zv.drejtorit ngre pikëpyetje të mëdha për lidhjet e tij me hetimet e tenderave dhe presionet e pretenduara politike. Aktualisht, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi rrethanat, ndërsa pritet që ngjarja të marrë përmasa të reja ditët në vijim.