back to top
13.5 C
Tirana
E diel, 15 Shkurt, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaZbulohet “vota misterioze” që ndryshoi rezultatin për anëtarin e Kushtetueses

Zbulohet “vota misterioze” që ndryshoi rezultatin për anëtarin e Kushtetueses

Vendi bosh në Gjykatën Kushtetuese, i krijuar pas përfundimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj, ka hapur një debat të fortë mbi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të instancës më të lartë të drejtësisë në vend.

Në qendër të debatit qëndron një votë e shpallur e pavlefshme, e cila, sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga Top Channel, mund të ketë ndryshuar rezultatin përfundimtar të procesit. Në mbledhjen e posaçme të Gjykatës së Lartë, ku u votua për anëtarin e ri të Kushtetueses, gjyqtari Asim Vokshi u shpall fitues me vetëm 6 vota, përkundrejt 9 votave që mori kandidatja Naureda Llagami, nga të cilat një u shpall e pavlefshme.

Në procesverbalin e siguruar nga televizioni, vullneti i gjyqtarit që kishte votuar për Llagamin është i qartë, por një komision i brendshëm teknik, i kryesuar nga sekretarja e Gjykatës së Lartë, ka vendosur që vota të mos konsiderohet e vlefshme. Ky vendim, sipas dosjes, i hoqi Llagamit shumicën e kërkuar prej 3/5, duke i hapur rrugën Vokshit për t’u emëruar në Kushtetuese, edhe pse ai kishte vetëm 0.2 pikë më shumë në vlerësimin paraprak të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Një situatë e tillë ka ngritur dyshime serioze mbi transparencën e procesit dhe besueshmërinë e procedurave në instancën më të lartë të gjyqësorit shqiptar. Nëse në sallën e Gjykatës së Lartë, ku votojnë gjyqtarët më të rëndësishëm të vendit, një votë e qartë shpallet e pavlefshme, çfarë garancie kanë qytetarët për drejtësinë në rastet e tyre të përditshme?

Kandidatja Naureda Llagami ka kundërshtuar zyrtarisht vendimin, duke iu drejtuar fillimisht Gjykatës Administrative, me argumentin se është shkelur neni 13 i Rregullores së Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, që përcakton qartë rastet kur një votë mund të shpallet e pavlefshme. Gjykata Administrative, megjithatë, e ka shpallur veten jo kompetente, duke i lënë vendimin në fuqi.

Pas kësaj, Llagami i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit dhe njohjen e rezultatit real të votimit, që sipas saj ishte 9 vota në favor të saj. Deri në shqyrtimin e çështjes, emërimi i anëtarit të nëntë të Kushtetueses mbetet i bllokuar.

Kjo situatë ka ndezur debatin publik për integritetin e sistemit të drejtësisë në nivelet më të larta. Sepse, siç thekson raporti i Top Channel, “nëse një votë e qartë humbet në duart e atyre që duhet ta mbrojnë, humbet edhe besimi i qytetarëve te drejtësia”.

Televizioni i ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës së Lartë publikimin e procesverbalit të plotë të votimit dhe arsyetimit mbi pavlefshmërinë e fletës, me arsyetimin se “drejtësia nuk humbet me një vendim të gabuar, por me një vendim të paqartë”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat