Gjykata e Lartë ka rrëzuar përfundimisht rekursin e paraqitur nga Alban Mollaymeri, duke i dhënë fund betejës disa vjeçare gjyqësore për shumën prej 3.4 milionë euro, të sekuestruara në dosjen e njohur si “Toyota Yaris”.
Vendimi i fundit vulos që kjo shumë e majme parash, e gjetur në automjete të importuara nga Belgjika dhe e bllokuar në Portin e Durrësit në qershor të vitit 2018, të kalojë në favor të shtetit shqiptar.
Hetimi dhe rruga e parave
Sipas burimeve gjyqësore, shuma u zbulua gjatë një kontrolli doganor në dy automjete tip “Toyota Yaris”, ku brenda gomave dhe pjesëve të brendshme u gjetën miliona euro të padeklaruara.
Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) nën drejtimin e prokurores Doloreza Musabelliu, çuan në bllokimin e menjëhershëm të shumës dhe nisjen e procedurave për konfiskim pasuror, në bazë të Ligjit nr. 10192, datë 3 dhjetor 2019, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.
Musabelliu kërkoi që 3.4 milionë eurot, për të cilat nuk u provua origjina e ligjshme, të kalonin përfundimisht në llogari të shtetit shqiptar.
Vendimet gjyqësore
Në maj 2022, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi konfiskimin e shumës.
Më pas, Alban Mollaymeri, i përfshirë në procedurë si person që pretendonte se paratë i përkisnin atij, ankimoi vendimin, duke kërkuar prishjen e tij në Gjykatën e Lartë.
Por pas rishikimit të dosjes, Gjykata e Lartë hodhi poshtë rekursin, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit dhe duke e bërë përfundimtar kalimin e shumës në llogaritë shtetërore.
Një nga dosjet më të bujshme të dekadës
Çështja “Toyota Yaris” ka qenë një nga dosjet më të përfolura të dekadës së fundit, për shkak të lidhjeve të mundshme të rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të parave të pista dhe referencave politike që u bënë në atë kohë.
Zbulimi i shumës ndodhi vetëm pak ditë pas deklaratave publike të politikanëve që paralajmëronin mbërritjen e “milionave në makinat Toyota”, çka e bëri rastin një nga më të komentuarit në historinë e drejtësisë shqiptare.



