back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 5 Nëntor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaMeta në burg prej tetorit 2024/ Kushtetuesja pranon të shqyrtojë rastin

Meta në burg prej tetorit 2024/ Kushtetuesja pranon të shqyrtojë rastin

Gjykata Kushtetuese ka vendosur këtë të mërkurë të pranojë kërkesën e paraqitur nga avokatët e ish-presidentit Ilir Meta për shqyrtimin e masës së arrestit ndaj tij, duke e kaluar çështjen për shqyrtim në themel mbi bazë dokumentesh, pa praninë fizike të palëve në seancë.

Ky është hapi i parë formal i Gjykatës Kushtetuese në një proces që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi ligjshmërinë e vendimeve të mëparshme të tre shkallëve të gjyqësorit – Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë – të cilat kanë lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj Metës.

Argumentet e mbrojtjes: Masa e arrestit është antikushtetuese

Në kërkesën e depozituar, mbrojtja e Metës pretendon se masa e arrestit me burg është vendosur në shkelje të Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penale dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas avokatëve, tre vendimet gjyqësore që kanë mbajtur në fuqi arrestin e ish-presidentit janë të pabazuara në prova konkrete dhe janë dhënë vetëm mbi “dyshime të paarsyeshme” për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

“Gjykatat kanë vendosur një masë kaq të rëndë pa një akuzë të qartë, duke shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtën për liri e siguri personale. Masa është joproporcionale, e pajustifikuar dhe në kundërshtim me nenet 17, 27, 28 dhe 48 të Kushtetutës”, thuhet në kërkesën e paraqitur nga mbrojtësit ligjorë të Metës.

Shkeljet e pretenduara nga mbrojtja

Avokatët rendisin një sërë nenesh të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut që sipas tyre janë shkelur nga gjykatat:

Neni 17 – Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore;

Neni 27 – E drejta për liri dhe siguri personale;

Neni 28 – Prezumimi i pafajësisë;

Neni 48 – Barazia para ligjit dhe ndalimi i diskriminimit politik;

Neni 5 i KEDNJ – Ndalimi i ndalimit arbitrar;

Neni 6 i KEDNJ – E drejta për një proces të drejtë.

Sipas mbrojtjes, vendimi për ta mbajtur Metën në burg, ndonëse ai nuk ushtron më funksione publike, është i pajustifikuar dhe pa rrezikshmëri reale shoqërore, duke cenuar parimin e proporcionalitetit dhe të barazisë para ligjit.

Mbrojtja: Gjykatat kanë paragjykuar figurën e ish-Presidentit

Një tjetër element i rëndësishëm që avokatët e theksojnë në kërkesë lidhet me arsyetimin e Gjykatës së Lartë, që sipas tyre ka “paragjykuar” Metën si recidivist për të njëjtat vepra penale, edhe pse ai nuk është dënuar kurrë më parë për asnjë vepër penale.

“Arsyetimi i Gjykatës së Lartë ka shkuar përtej kompetencave të saj, duke krijuar perceptimin e një paragjykimi politik dhe personal ndaj të pandehurit,” – theksojnë mbrojtësit në kërkesë.

Vendimet që kërkohen të shfuqizohen

Mbrojtja kërkon nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin si antikushtetues të të gjitha vendimeve që kanë lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj Ilir Metës, përfshirë:

Vendimi nr. 57, datë 27.02.2025, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë;

Vendimi nr. 59 (97-2024-333), datë 19.11.2024, i Gjykatës së Apelit të Posaçëm;

Vendimi nr. 125, datë 20.10.2024, i Gjykatës së Shkallës së Parë të Posaçme;

Vendimi nr. 130, datë 23.10.2024, i po të njëjtës gjykatë.

Nëse Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën, ajo mund të hapë rrugën për lirimin e ish-presidentit ose për rishqyrtimin e masës së sigurisë në një gjykatë të zakonshme.

Meta, në burg prej 21 tetorit 2024

Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në arrest në burg që prej 21 tetorit 2024, nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ai është figura më e lartë shtetërore e arrestuar ndonjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar, dhe çështja e tij ka ngjallur debate të forta politike dhe ligjore.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin në themel pritet të jetë vendimtar për ecurinë e procesit gjyqësor dhe për raportin ndërmjet pushteteve në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat