Në Kuvend është depozituar projektligji i buxhetit për vitin 2026, i konsideruar si më i madhi në historinë e Shqipërisë. Buxheti për vitin e ardhshëm arrin vlerën e 886 miliardë lekëve (rreth 8.9 miliardë euro), duke synuar mbështetjen e institucioneve dhe shërbimeve kryesore të vendit.
Shpenzimet e parashikuara për vitin 2026 pritet të rriten me 6.7% krahasuar me aktin normative të fundit, ndërsa të ardhurat planifikohen të arrijnë në 823 miliardë lekë (8.2 miliardë euro), ose 6.8% më shumë.
Shëndetësia dhe politikat sociale në fokus
Ministria e Shëndetësisë merr pjesën më të madhe të buxhetit me 82.5 miliardë lekë (820 milionë euro). Në fokus janë politikat sociale, duke përfshirë:
100 milionë euro për rritjen e pensioneve sipas skemës së re
135 milionë euro për rimbursimin e medikamenteve
Ministritë e tjera me buxhet të lartë për vitin 2026:
Infrastrukturë: 772 milionë euro
Arsim: 620 milionë euro
Mbrojtje: 589 milionë euro
Bujqësi: 162 milionë euro
Investimet publike janë planifikuar në 179.6 miliardë lekë (1.8 miliardë euro), ose 6.5% e PBB-së, duke përfshirë fondin e rindërtimit dhe projektet e financuara nga Plani i Rritjes me BE.
Kontrata koncesionare dhe PPP
Financimet për kontratat koncesionare dhe projektet e partneritetit publik-privat parashikohet të u lenë në 120 milionë euro për 11 kontrata, nga 139 milionë euro në 2025. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mban peshën më të madhe të fondeve për këto kontrata, ku rruga e Arbrit është koncesioni më i madh.
Pushteti vendor dhe paga
Granti nga buxheti i shtetit për 61 njësitë vendore do të arrijë në 473 milionë euro, nga 431 milionë euro në 2025.
Projektbuxheti është shoqëruar me paketën fiskale, e cila përfshin:
Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme
Ndryshime në TVSH për bujqësinë
Rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026
Rritjen e pagës maksimale në të njëjtën masë
Indeksimin e pagave në administratë me 2.5%




